Arbëri

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe drejtuesit e Bankës Botërore flasin për projekte konkrete

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e delegacionit nga Kosova ku bën pjesë edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, të shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u takuan me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi, Cyril Muller dhe zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm, Laura Tuck.

Në këtë takim Lluka ishte shumë konkret me kërkesat e tij për financimin e projekteve zhvillimore në Kosovë, me fokus të veçantë projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, projektin për Agrobiznes dhe projektin e Ekonomisë Dixhitale në fushën e teknologjisë informative.

Kreu i MZHE-së nga ana e tij, njoftoi drejtuesit e Bankës Botërore me ecurinë e zhvillimit të projekteve që mbështeten nga ky institucion financiar në Kosovës, siç janë ato në sektorin e energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, respektivisht rritjen e efiçiencës së energjisë, transmeton kp.

Ndryshe, Lluka po qëndron në SHBA në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, i cili po merr pjesë në takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington.