Arbëri

Kërkohet që partive t’u përcillet edhe propaganda në rrjete sociale

Fushata zgjedhore po ballafaqohet edhe me propagandën e cila po zhvillohet në rrjetet sociale, me fokus në Facebook.

Opinionisti Rrahman Pacarizi në Rubikon të KTV-së ka thënë se është i nevojshëm edhe monitorimi i këtyre rrjeteve, ndonëse identifikimi i burimeve mund të jetë më i vështirë.

“Bëhet fjalë për persona të cilët janë kujdestarë që të merren me këtë çështje... mund t’i identifikojë shumë lehtë një pjesë të njerëzve që janë kujdestarë të PDK-së, një pjesë të njerëzve që janë kujdestarë të LVV-së apo LDK-së. Janë këto tri subjekte që e kanë më të zhvilluar këtë lloj të propagandës në media sociale”, ka thënë ai.

“Ata shkojnë deri atje sa i marrin edhe pjesë të emisioneve dhe intervistave në mënyrë selektive, pjesë të cilat u përgjigjen atyre, ose një moment të caktuar kur një prej kandidatëve llogaritet se është zënë ngushtë apo edhe nëse s’është zënë ngushtë, interpretohet ashtu në mënyrë të target grupi të atakohet nga ajo”.

Mirëpo, një propagandë e tillë, sipas opinionistit Fisnik Halimi, nuk ka rezultat pozitiv për subjektin politik.

“Këto sulme përmes rrjeteve sociale nuk prodhojnë efekt pozitiv në grumbullimin e votave”, ka thënë ai.