Arbëri

Ekipi i KTV-së sjell këtë raport nga gjendja në Maqedoni para zgjedhjeve të së dielës

Pas bllokadës politike prej zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016, Maqedonia ka një test tjetër para vetës: zgjedhjet lokale.

Zhbllokimi, që kulmoi me ngjarjet e 27 prillit në parlament dhe në fillimin e majit me formimin e qeverisë, hapi rrugë për lokalet e vonuara, raporton KTV.

Në mesin e 258 kandidatëve për kryetarë të komunave, për komunën me territorin më të vogël në Maqedoni, Çairin, garon Faruk Avdiu nga “Aleanca për Shqiptarët”.

Avdiu, që përballet me tre kandidatë tjerë shqiptarë për këtë pozitë, pretendon t’i japë fund diskriminimit të Çairit nga komuna qendër, Shkupi.
 

Përderisa në Çair kërkojnë t’i jepet fund diskriminimit, në Tetovë ka probleme të tjera.

Duke i shmangur premtimet boshe e programet partiake për fushatë që rëndom mbesin vetëm në letër, shoqëria civile po i shtyn agjendat e qytetarëve përpara.

Arianit Xhaferi, nga Organizata EcoGuerilla, në kohën sa ekipi i KTV-së qëndroi në Tetovë, po përgatiste dokumentin “5 përkushtimet ndaj tetovarëve”, që do të nënshkruhej nga kandidatët për kryetar të kësaj komune.

E para kishte të bënte me transparencën financiare, pasi komuna ka një borxh publik prej më shumë se 12 milionë euro dhe pak informata ka se si është grumbulluar.

Pikat tjera pasojnë me hapa që lidhen me ruajtjen e ambientit, përfshirë funksionalizimin e inspektoratit komunal ekologjik, dhe e fundit, që kazerma në këtë qytet të shndërrohet në park.

Xhaferi përmend se partitë nuk e kanë problem të përsërisin projektet që i kishin premtuar edhe në zgjedhjet e vitit 2013, e dështimin e realizimit të tyre e lidh edhe me korrupsionin.

Megjithatë, nga fushata e vitit 2013 në atë të vitit 2017, programet e kandidatëve janë avancuar dhe fokusohen në probleme që janë të arritshme për nivelin lokal.

Por, ky përparim nuk është i vetmi element që shton rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

Megjithëse zgjedhjet që zhvillohen në Maqedoni janë të nivelit lokal, njohësit e zhvillimeve politike në këtë shtet shprehen se rezultati i tyre mund të sjellë ndryshime edhe në nivelin qendror.

Dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM-ja, që qeveris aktualisht dhe VMRO-DPMNE-ja në opozitë, do të tentojnë të përfitojnë nga një rezultat pozitiv në lokale.

Fushatës misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i OSBE-së në raportin e parë i ka dhënë vlerësim pozitiv, me vetëm disa incidente të izoluara e vandalizëm, sipas raportit, të motivuara politikisht.

VMRO-DPMNE-ja, me rezultatin e zgjedhjeve lokale të vitit 2013, udhëheq në 55 nga 80 komunat e Maqedonisë.

Në këto zgjedhje garojnë 19 parti dhe koalicione, ndërsa nga 258 kandidatë për kryetarë të komunave, vetëm 6 % e tyre janë gra.

Votues të regjistruar për këto zgjedhje janë gjithsej 1 milion e 814 mijë.