Arbëri

Debatin për Specialen që e nisi Thaçi e vazhdojnë në Kuvend deputetët e PDK-së

Debati i nisur nga Hashim Thaçi për Gjykatën Speciale ka vazhduar nga PDK-ja në Kuvend.

Deputetët e PDK-së vetëm sa kanë përforcuar deklaratat e ish-shefit të tyre që tash është president se Gjykata Speciale u votua nën trysninë ndërkombëtare, raporton KTV.

Këtë ia kanë thënë ata shefes së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, duke shtuar se kushtet për Kosovën janë të padrejta.

Vetë Apostolova përsëriti se kushtet nuk do të hiqen e Kosova duhet të punojë t’i plotësojë ato.

Tha se Gjykata Speciale nuk ka lidhje me liberalizimin.

“Nuk do të komentojë për Gjykatën Speciale, sepse kjo është çështje që i takon Kosovës si e pavarur. Nuk do të hyjë në polemika se kush kujt dhe çka i ka premtuar, vetëm se dua të theksoj se absolutisht nuk ka kurrfarë lidhje mes punës së Gjykatës, procesit të liberalizimit të vizave apo anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, apo të formimit të ushtrisë. Këto janë procese të ndryshme, një pjesë e madhe e ambasadorëve të BE-së kanë dhënë deklarata për këtë, e po ashtu qëndrimin tonë e ka sqaruar edhe zëdhënësja jonë”.

Apostolova ka zhvilluar takim edhe me shefin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe kryetarë të komisioneve nga kjo parti.

Në shumë pika i kishin qëndrimet e përbashkëta, sidomos në luftën kundër krimit e korrupsionit, depolitizimin e bordeve dhe reformat në administratë publike.

Aty i thanë shefes së BE-së se Qeveria e kaluar ka marrë vendime të gabuara për vendin.


Apostolova ka kërkuar nga Vetëvendosja të jetë opozitë konstruktive në Kuvendin e Kosovës dhe ka përsëritur se kushtet për liberalizim duhet të plotësohen në Kuvend.

“Sa i përket demarkacionit, besoj se mjaft nga ajo është thënë dhe nuk dua që ta kthej këtë diskutim në polemikë. Kjo është çështje fatkeqësisht shumë teknike dhe besoj që mënyra më e suksesshme për të gjithë ne që dëshirojmë së bashku ta ndihmojmë Kosovën që ta marrë liberalizimin, atëherë të na tregoni se si mund t’ju ndihmojmë. Disa po pyesin si do të bëhet demarkimi me Serbinë? Demarkimi me Malin e Zi duhet të përfundojë në Kuvend e me Serbinë duhet dialog”

Apostolova, gjatë javës që vjen, do të vazhdojë takimet e hapura edhe me partitë e tjera parlamentare të Kuvendit.