KQZ organizon simulim të procesit zgjedhor që iu dedikohet të rinjve

KQZ organizon simulim të procesit zgjedhor që iu dedikohet të rinjve

12 tetor 2017 16:59

Në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), gjatë ditë së sotme zyrtarë të KQZ-së kanë organizuar planin e simulimit të procesit të zgjedhjeve me qëllim të informimit dhe të edukimit të votuesve të rinj.

Presidentja e AUK-ut, Sharon Hart tha se një ndër gjërat e bukura për të jetuar në shumë vende është e drejta e votës.

Ajo studentëve të pranishëm iu tha se përmes votës mund të shikojnë se çfarë mund të kontribuojnë për Kosovën.

“Njëra ndër bukuritë e të jetuarit në shumë vende është mundësia për të votuar. Besoj se shumica prej jush keni moshën e duhur pra mosha 18 vjeçare e sipër dhe keni mundësinë të shikoni se çfarë mund të bëni që të kontribuoni në këtë rast për Kosovën dhe për zgjedhjet që do të mbahen në këtë vend”, tha ajo.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, porositi studentët që të votojnë pasi që është e drejtë e tyre të zgjedhin atë që duhet ta udhëheqë komunën e tyre.

“Do të keni mundësi të shihni një simulim, se si bëhet votimi se si duhet ta zgjidhni atë që mendoni që është më i miri. Ju të gjithë i keni mbushur 18 vjet dhe e keni këtë të drejtë shfrytëzoni këtë të drejtë sepse është e drejtë e cila është e garantuar me kushtetutë dhe iu mundëson që ju të vendosni për fatin tuaj dhe ta keni atë të drejtë që të vendosni se kush do të udhëheqë me komunën tuaj”, tha ajo.

Zyrtari i KQZ-së, Islam Demolli për KosovaPress ka thënë se ky simulim është iniciuar pas numrit të madh të votave të pavlefshme që kanë dalë pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ai tha se me qëllim që të ketë sa më pak fletëvotime të pa vlefshme KQZ ka organizuar simulim të procesit zgjedhor i cili iu dedikohet votuesve të rinj.

“Komisioni pas zgjedhjeve të 11 qershorit për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve që kanë qenë të pavlefshme në kuadër të informimit dhe të edukimit votues e ka paraparë që në disa qendra të mbahet një simulim i procesit zgjedhor kryesisht të iu dedikohet votuesve të rinj për t'i mësuar ata me hapat e procesit zgjedhor në mënyrë që të kemi sa me pak fletëvotime të pa vlefshme", tha Demolli.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme