Arbëri

Diplomatja e Luksemburgut zotohet të mbështesë Kosovën në agjendën europiane

Prishtinë, 12 tetor – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, priti sot në një takim kurtuazie, të ngarkuarën e përkohshme me Punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se me këtë rast ata kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe po ashtu është kërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pacolli ka rikonfirmuar bashkëpunimin dhe ka shprehur nevojën për shikimin e mundësive për rritjen dhe zgjerimin edhe në fusha të tjera. Kosova sipas tij, është shtet i ri, i cili ka nevojë për miq dhe përkrahje, siç e ka nga Luksemburgu dhe miqve të tjerë perëndimor.

“Kërkojmë mbështetjen në lehtësimin e procedurave të pajisjes me viza, si dhe kushteve për liberalizim të vizave për qytetarëve të Kosovës. Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe kjo nuk duhet ta pengojë vazhdimin e procesit të liberalizimit të vizave, pasi që qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë Pacolli.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, ministri Pacolli e ka njoftuar diplomaten nga Luksemburgu për punën intensive edhe mënyrat se si të prezantohen dhe promovohen potencialet dhe vlerat e Kosovës në marrëdhënie me jashtë.

Në njoftim theksohet se ka kërkuar edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.

Nga ana tjetër, e ngarkuara e përkohshme me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Anne Dostert, ka shprehur përkrahjen e saj dhe të shtetit të Luksemburgut, duke shprehur zotimin për vazhdimin e mbështetjes së palëkundur nga ky shtet. Kjo mbështetje, sipas diplomates nga Luksemburgu, do të vlejë edhe për përkrahjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që të vazhdojë bashkëpunimi tanimë i vënë në fushën ekonomike, arsim dhe shëndetësi.