Arbëri

Lufta gjyqësore e kosovares për të provuar se zvicerani është baba i fëmijës së saj

Descriptive Text

Një histori e ndërlikuar, me shumë kthesa të papritura dhe e cila ende nuk ka marrë epilogun e saj, po zhvillohet prej vitesh në mes të një çifti dhe autoriteteve të Kantonit të Cyrihut. Një rast i rrallë për të cilin instanca më e lartë e gjyqësisë zvicerane, Gjykata Federale ka marrë deri tash 3 vendime dhe të cilin sot do ta shqyrtojë për të katërtën herë, shkruan tagesanzeiger.ch.

Një shtetase e Kosovës, sot 36 vjeçare, ishte martuar para rreth dhjetë vitesh me një zviceran i cili sot është 65 vjeç. Në gusht të vitit 2009, kosovarja, pasi kishte jetuar disa vite me zviceranin, e fiton lejen e qëndrimit të përhershëm (Vizën C) dhe pas gjashtë muajsh shkurorëzohet në Kosovë nga zvicerani, përcjell allbinfo.

Duke qenë se dyshimet për martesë fiktive ishin mjaft të bazuara, Zyra Kantonale e Migracionit, në gusht të vitit 2011 ia hoqi kosovares lejen e qëndrimit të përhershëm. Arsyetimi, i lehtë për t`u kuptuar: çifti ka bërë martesë fiktive, transmeton albinfo.ch. Dallimi në moshë, mungesa e njohurive për njëri tjetrin madje edhe ngatërrimet gjatë përshkrimit të banesës së “përbashkët”, të gjitha këto ishin indicie në favor të ndëshkimit të gruas.

Fëmija si atu kundër dëbimit

Në këto rrethana, dëbimi i saj në Kosovë ishte punë e kryer… Por këtu ndërlikohet puna: kosovarja ka lindur një djalë 7 muaj pas shkurorëzimit nga zvicerani, fëmijë ky të cilin 65 vjeçari e njihte si të vetin. Në këtë mënyrë, fëmijës i takon automatikisht nënshtetësia zvicerane dhe rrjedhimisht, për nënën e tij bëhet i pamundur dëbimi.

Kështu fillon odisejada e gjatë gjyqësore, të cilës ende nuk i shihet fundi. Fillimisht, Zyra Kantonale e Migracionit kishte provuar që megjithatë t`ia mohonte gruas lejen e qëndrimit, me argumentin se njohja e atësisë në këtë rast ishte abuzive: sipas saj, është shumë e besueshme se zvicerani nuk është babai i fëmijës. Megjithatë, zyra nuk kishte dëshmi për t`ia sfiduar atësinë, pasi që babai i supozuar refuzonte t`i nënshtrohej testit gjenetik.

Pas kësaj, gruaja është ankuar kundër vendimit për dëbim, por instancat e para, Drejtoria e Sigurisë ddhe Gjykata Administrative ia hodhën poshtë, përcjell albinfo.ch. Ndërkohë, shkalla më e lartë e drejtësisë në vend, Gjykata Federale, pas ankesës së bërë i dha asaj të drejtë. Në vendim thuhet: “deri sa nuk ka pasur ndonjë sfidim të suksesshëm kundër atësisë, fëmija duhet të konsiderohet qytetar zviceran”.

U mohohet martesa e sërishme

Por, vetëm një muaj pas kësaj, Gjykata Federale do të merrej sërish me rastin. Kjo për faktin se çifti kishte vendosur të martohej sërish ndërsa Zyra Civile e Winterthurit ia kishte mohuar këtë. Kësaj radhe, vendim negativ çifti mori edhe nga Gykata Federale. Dhe, autoritetet e kantonit bashkë me ato të komunës shfrytëzuan gjendjen e re duke kërkuar rrëzimin e tezës së atësisë së zviceranit mbi djalin që kishte lindur kosovarja. Në këtë mënyrë ai bashkë me të ëmën të mund të dëbohej në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Një urdhëresë e bërë për të kryer testin e ADN-së u hodh poshtë sërish nga 65 vjeçari, i cili sërish u ankua në Gjykatën Federale, e cila edhe një herë vendosi kundër tij.

“Babai” që e gjejnë në Kosovë, hedh poshtë kategorikisht atësinë mbi fëmijën

Ndërkohë, përpjekjet për të hedhur poshtë atësinë, vazhduan aq sa autoritetet zgjeruan hulumtimet edhe në Kosovë. Atje gjetën një burrë, të cilin e prezantuan si baba të mundshëm të fëmijës. Por, Gjykata e Qarkut në Winterthur kësaj radhe vendosi se atësia e zviceranit nuk mund të hidhet poshtë. Autoritetet e çuan lëndën në Gjykatën e Lartë (kantonale) duke kërkuar që testi i ADN-së te bëhej, po qe nevoja, edhe në mënyrë të dhunshme. Gjykata e lartë e hodhi poshtë ankesën.

“Duke u mbështetur vetëm në refuzimin e burrit për t`iu nënshtruar testit, nuk mund të vihet në përfundimin se ai nuk është babai i vërtetë. Veç kësaj, kosovari i cili sipas autoriteteve është babai biologjik i fëmijës, kundërshton në mënyre kategorike këtë pretendim. Përfundimi është se vogëlushi, i cili ndërkohë ka mbushur 7 vjet, vazhdon të ketë baba zviceranin dhe mbi këtë bazë, vazhdon të mbetet zviceran.

Sot, Gjykata Federale do të debatojë lidhur me çështjen nëse kabtoni ka të drejtë t`ia hedhë poshtë një burri pretendimin e tij për atësi.