Për vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e Bordit të Agjensionit të Akreditimit pati shumë reagime. Madje edhe nga vetë anëtarët e këtij bordi.
Një gjë e tillë duket nuk e shqetëson shumë kryeministrin.
Ai ka thënë se është në gjendje që këtë ta përsërisë shumë herë deri sa të vihet rregulli.
“Jam në gjendje të shkarkoj njëqind herë këtë agjenci, edhe ata që vijnë, tjerë e deri sa të merr drejtim. Nuk kam dashtë me hy në këtë debat sepse nuk është detyrë e imja. Këtu po jetoj unë dhe e di se çka është duke ndodh, edhe ju e dini, dhe krejt e dinë. Ka qenë subjekt i diskutimeve edhe i aferave, problemeve. Ka edhe raste ligjore të ngritura, ka plot probleme”, ka thënë ai.
Haradinaj ritheksoi se shkarkimi i këtij bordi ishte i nevojshëm.
“Duhet me çua një porosi që s’ka për jetë pa ndëshkuar, duhet m’u këput diku kjo. S’po them se secili është gabim dhe asnjë s’ka merita, as nuk e mendoj ashtu”, ka thënë tutje shefi i ekzekutivit.
Kryeministri ka thënë se një praktikë të tillë do ta vazhdojë dhe nuk do të brengoset për gjykimet që i bëhen atij.
“Është bërë njëfarë rregulli te na në Kosovë, ki pare dhe ki njohje politike shkon në spital dhe hyn pa rend, s’je aq urgjent ti. Ai që është shumë urgjent, që është tu vdes, është pa pare, pa asgjë, i vdes aty”, përfundoi ai.