Arbëri

Çfarë parasheh Marrëveshja e Kosovës me Britaninë për përzgjedhjen e udhëheqësve

Qeveria e re e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ambasadën e Britanisë së Madhe për përzgjedhjen e udhëheqësve nëpër agjenci dhe ndërmarrje publike, raporton KTV.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pranuar se situata në këto vende nuk është aspak e mirë dhe se aty duhet sjellë njerëz që plotësojnë kushtet dhe që e kryejnë punën me përgjegjësi.

Haradinaj ka pranuar se situata nuk është aspak e mirë në një numër ndërmarrjesh publike dhe ka folur për uljen e numrit të agjencive.

Po ashtu ka shprehur gatishmërinë për miratimin sa më të shpejtë të ligjit për Qeverinë, përmes të cilit do të ulej edhe numri i ministrive.

Nga ana tjetër, ambasadori britanik ka shprehur shqetësimin për, siç ka thënë, nivelin e lartë të korrupsionit dhe numrit të vogël të femrave që po marrin pjesë nëpër konkurse.

Marrëveshja ka vlefshmëri 1 vit me mundësi vazhdimi, ndërsa nuk është bërë e ditur nëse është e njëjtë me marrëveshjen e parë të nënshkruar më kryekuvendarin Kadri Veseli.