Arbëri

Gjenden pjesë trupore gjatë gërmimeve në Suhodoll të Mitrovicës

Gjatë gërmimeve që janë zhvilluar sot në fshatin Suhodoll të Mitrovicës në kërkim të mbetjeve mortore të të zhdukurve në luftën e fundit në Kosovë, janë gjetur pjesë trupore.

Kështu deklaroi për ks kryetari i Shoqatës të të pagjeturve në Mitrovicë, Bajram Çerkini.

Sipas tij, në katër vende të ndryshme janë gjetur pjesë trupore, por nuk dihet nëse i takojnë trupave që janë gjetur më herët, apo janë pjesë të reja trupore.

“Gjatë gërmimeve të sotme janë gjetur pjesë trupore në katër vende të ndryshme të këtij lokacioni, por nuk dihet nëse janë pjesë të reja apo i përkasin trupave që cilat janë gjetur më herët. Ky është shqetësim i shtuar për familjarët sepse pas rezultateve të AND-së mund të ndodhë që t’i thërrasim sërish ata, për t’ju bashkangjitur këto pjesë trupave të vjetra që u janë dorëzuar atyre”, ka thënë Çerkini.

Në këtë lokacion ishte gërmuar tre herë pas luftës dhe ishin gjetur 105 trupa, të cilat janë identifikuar dhe dorëzuar familjarëve.