Arbëri

Çelaj për Prishtinën e vjetër dhe qendrën e re

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj në programin qeverisës nënvizon projektin për “Prishtinën e vjetër”.

Ai, në Rubikon të KTV-së ka thënë se projekti parasheh restaurimin e shtëpive të vjetra të cilat veçse janë në mbrojtje të monumenteve.

“E në pjesë të tjera ku janë rrëzuar dhe janë ndërtuar tjera, do të intervenojmë bashkë me arkitektë dhe njerëz kompetentë të kësaj fushe, t’ua japim atë sharmin apo dukjen se si është dukur Prishtina e vjetër”, ka thënë ai.

“Pjesa kryesore te AKP-ja do të transferohet e do të ketë edhe bartje të shtëpive, ka shtëpi në Tophane, shtëpi të vjetra, të cilat mund të transportohen atje. Nuk ka për të qenë qendër si qendër tregtare por një konstruktim i Prishtinës së vjetër me kalldrëm. Aty do të ketë edhe lokale, kush është i interesuar. Poshtë tregut të gjelbër do të ndërtohet një parking i madh nëntokësor që po ashtu do të bëhet me partneritet publiko-privat”, ka thënë ai.

Projekti përfshin edhe Tregun e Gjelbër, i cili sipas Çelajt, do t’i përngjajë atij të Kapali Çarshisë në Stamboll.

Qendra e Prishtinës për kandidatin e PDK-së është një tjetër parregullsi, arkitekturë kjo që sipas tij, e bën të mos i përngjajë një qendre.

Një plan të tillë ai e çon deri në lagjen Pejton duke përfshirë edhe ndërtesat afër Grandit.

Sipas tij, ndërtesat e vjetra në bashkëpunim me banuesit, mund të ndërtohen prej fillimit me një investitor.

“Atëherë krijohen kthina shumë të bukura të sheshit në atë pjesë dhe e bën qytetin me atraktiv. I njëjti parim vlen deri në lagjen Pejton, unë u fokusova në qendër, por i kemi ndërtesat në krah të Grandit, ato pothuajse të gjitha janë shndërruar në zyre, pse të mos bëhet marrëveshje me ta që aty të ndërtohen zyre të reja dhe prapa tyre të ndërtohen ndërtesa për banim”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.