Pse po quhet hipokrite deklarata e Thaçit për Gjykatën Speciale

10 tetor 2017 19:09

Hipokrizi vlerësohen deklaratat e presidentit Hashim Thaçi të bëra një ditë më parë në drejtim të bashkësisë ndërkombëtare rreth themelimit të Gjykatës Speciale, raporton KTV.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu thotë se Thaçi ishte ai që iu bëri presion deputetëve të tij në kohën sa ishte lider i PDK-së që ta votojnë specialen.

Ndërkohë, deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, thotë se që nga fillimi kishte folur për të metat e themelimit të këtij organi, që veç me letra është i Kosovës.

Ai thotë se pikërisht ky fakt ka treguar se Kosova nuk është e gatshme të marrë përsipër obligimet e saj.

Tash, kur jemi bërë pjesë e lojës, duhet pranuar edhe obligimet. Më 3 gusht të 2015-ës, Kuvendi i Kosovës kishte votuar me shumicë votash themelimin e speciales, por kjo ndodhi pas tentimit të dytë, meqë herën e parë dështoi t’i marrë votat e deputetëve.

Vitin e kaluar, me kërkesë të veteranëve të UÇK-së, ishte tentuar të bëhej plotësim ndryshimi i ligjit në Kuvend, por kjo iniciativë e deputetit Nait Hasani nuk mori mbështetjen e deputetëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme