Arbëri

Shteti serb krenohet me kriminelin e luftës së Kosovës

Ministri serb i Mbrojtjes të shtunën ka lavdëruar një kriminel të dënuar lufte për rolin e tij kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë, duke thënë se Serbia më nuk duhet të turpërohet për ofensivën e përgjakshme kundër shqiptarëve.

Vlerësimet e ministrit serb, Aleksandar Vulin, ilustrojnë mosbindjen në rritje të Serbisë ndaj Perëndimit. Serbia formalisht kërkon anëtarësim në BE por në të njëjtën kohë po afrohet me aleatin e saj historik sllav, Rusinë.

“Koha e turpit ka kaluar. Tani është koha për një krenari të qetë”, ka thënë Vulin në Nish, raporton AP.

Vulin ishte nën shoqërinë e ish-gjeneralit Vlladimir Llazareviq, i cili u dënua me 14 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për krime të kryera nga trupat serbe në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë, të cilat edhe i dhanë fund ofensivës së përgjakshme serbe, transmeton Koha.net.

Llazareviq, komandat i trupave serbe në luftën në Kosovë që la së paku 10 mijë persona të vdekur dhe me mijëra të tjera të pastrehë, u lirua nga burgu pasi kreu dy të tretat e dënimit.

Vulin tha se Llazareviq dhe ushtarët tjerë serbë që luftuan në Kosovë “kanë arsye të cilësohen si më të mirët në mesin e më të mirëve dhe më të guximshmit në mesin e më të guximshmëve”.