Arbëri

FMN dhe Vetëvendosje diskutojnë për plotësim ndryshimin e Ligjit për buxhet

Deputetët Mytaher Haskuka dhe Shqipe Pantina, si dhe drejtuesi i Komitetit për Politika financiare nga Lëvizja Vetëvendosje, Besnik Bislimi; kanë pritur në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përbërje të Jacques Miniane, Stephanie Eble dhe Ruud Vermeulen.

Gjatë takimit është biseduar kryesisht për Ligjin për buxhetin dhe për politikat fiskale në përgjithësi. Përfaqësuesit e FMN shprehën interesimin e tyre për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit për buxhetin, duke shprehur njëkohësisht shqetësimin e tyre për vijat buxhetore për paga dhe për mëditje.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje shprehen nga ana e tyre shqetësimin e tyre në lidhje me procesin e miratimit të Ligjit për buxhetin që është miratuar viteve të fundit me shmangie të rregullores së Kuvendit, pa debat të mirëfilltë; veçmas gjatë shqyrtimit të amendamenteve pas leximit të parë. Lëvizja Vetëvendosje paraqiti po ashtu shqetësimet e saj lidhur me mënyrën e ndarjes së investimeve kapitale midis komunave, e cila thellon pabarazitë dhe mbetet në funksion të ndikimeve zgjedhore.