Arbëri

Mos anëtarësimi në OKB pengon Kosovën të sigurojë domain dhe IP shtetërore

Kosova vazhdon të ketë rritje të penetrimit të internetit. Të dhënat e fundit flasin për rritje të numrit të përdoruesve të internetit.

Por, vendi ynë, sikur në shumë sfera tjera, edhe në këtë pjesë është bllokuar nga politika, raporton KTV.

Në pamundësi që të jemi vend anëtar i OKB-së, Kosova nuk po mund të ketë domainin e vet e as IP-në, dy elemente qenësore të internetit, por edhe të njohjes së vendit si shtet.

Në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) thonë se kushti i parë që duhet plotësuar është sigurimi i ISO Standardit 3166-1 dhe të njëjtin e lëshon agjencia brenda OKB-së.

Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP, thotë se janë duke punuar që së paku të marrin një kod të përkohshëm.

Njohës të kësaj fushe thonë se Kosovës i duhet shumë sigurimi i domainit dhe IP-së, pasi mungesa e tyre po u shkakton probleme të mëdha për bizneset e reja, sidomos ato start-up.

Dy korporatat ku Kosova duhet të drejtohet për t’i siguruar domainin dhe IP-në përmendin qartë se pa qenë vend anëtar i OKB-së nuk mund të jepen asnjëra prej kodeve të rëndësishme të botës digjitale.

Kompanitë që ofrojnë internet në vendin tonë përdorin IP të vendeve prej nga ku e sigurojnë internetin.

Kohavision mëson se në ndihmë për të gjetur një zgjidhje qoftë edhe të përkohshme, Kosovës i kanë ardhur në ndihmë edhe disa ekspert të Taiëanit, të cilët po u tregojnë institucioneve për mënyrën e veprimit siç ka bërë ky shtet që nuk është anëtar i OKB-së.