Arbëri

Së shpejti iniciohet projektligji i Vettingut në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, po mendon që sektorin e drejtësisë ta fuqizojë edhe më shumë përmes inicimit të projektligjit të Vettingut siç ka vepruar shteti shqiptar.

Verifikimi, të cilin ministri i Drejtësisë po planifikon ta bëjë nëpërmjet këtij projektligji si në institucione gjyqësore, ashtu edhe në polici, sipas tij, do të kontribuonte në rritjen përmirësimit të këtij sektori dhe do të rriste llogaridhënien edhe më shumë, raporton KTV.

Tahiri ka thënë se me nisjen e punës së komisionit, i cili është formuar për rishikimin e sektorit të drejtësisë, do të dihet edhe koha e saktë e realizimit të kësaj ideje.

Këtë deklaratë Tahiri e ka bërë pas vizitës së Qendrës Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan, me rastin e vendosjes së Mamografit mobil aty.

Ndërkaq, Tahiri ka thënë se si ministër i Drejtësisë do të angazhohet që të gjithë të burgosurve t’u respektohen të gjitha të drejtat që u takojnë me ligj.

Kryetarja e grave deputete në Kuvendin e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, tha se 40 gra, të cilat vuajnë dënimin në këtë qendër, do të kenë mundësinë që të kryejnë kontrolle për ekzaminimin sa më të hershëm të kancerit të gjirit.

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, u shpreh i përkushtuar që këtyre të burgosurve të mos u mungojë asgjë.

Kjo nuk është hera e parë kur këtyre të burgosurave u ofrohet mundësia e kontrollimit përmes mamografit mobil, i cili lëviz nga një qytet në tjetrin, për diagnostikim sa më të hershëm të kancerit të gjirit.