Kërkesat që shehlerët ia parashtruan sot në takim Haradinajt

Kërkesat që shehlerët ia parashtruan sot në takim Haradinajt

07 tetor 2017 15:57

Në vazhdën e shumë takimeve që ka pasur sot kryeministri Ramush Haradinaj, ka qenë edhe ai me përfaqësuesit e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

Këtij delegacioni i printe Shejh Ruzhdi Shehu, anëtar i Mexhlisit të BTK me bashkëpunëtorët, Shejh Lulzim Shehu, Sekretari i Përgjithshëm i BTK, Shejh Xhemajli Haxhimustafa, Kryetar i Kuvendit të BTK, Shejh Leonard Shehu, anëtar i Këshillit Organizativ Mbikëqyrës, Shejh Abidin Shehu, Kryesues i Mexhlisit BTK, Shejh Besim Shehu, anëtar i Mexhlisit të BTK, dhe Shejh Mehmet Shehu, anëtar i Mexhlisit, BTK-ës.

Kryeministri i ka uruar ata për daljen nga Muaji Muharrem dhe i ka përgëzuar për festën e Hashurës. U ka thënë atyre se vlerat të cilat i përfaqësojnë BTK, Teqetë dhe shehlerët si dhe pasuesit e tyre, tashmë janë të njohura me ligj, me Ligjin mbi liritë fetare, ndërsa Qeveria që ai drejton është e interesuar për një marrëdhënie kredibile dhe pa diskriminim me të gjitha bashkësitë fetare të vendit, të cilat do të kenë status ligjor të definuar qartë.

Përfaqësuesit e BTK-së i kanë shtruar kërkesat e tyre kryesore që të përfaqësohen në këshillat qeveritare të bashkësive fetare si të barabartë me bashkësitë tjera fetare, kurse Teqetë, pronat dhe varret të administrohen nga BKT e jo nga BIK, ndërsa Sufizmi të përfshihet si lëndë në Fakultetin e Studimeve Islame, ngase shumë studentë nga BTK shkojnë në Medrese dhe studiojnë në këtë fakultet.

“Kemi ardhë të dëshmojmë rreshtimin tonë me shtetin e Kosovës, me institucionin e Kryeministrit dhe personalisht me ju kryeministër Haradinaj, si ish komandant i UÇK-së, ish kryeministër dhe aktualisht kryeministër, sepse vlerësojmë se ky rreshtim është i drejtë”, ka thënë Shejh Lulëzim Shehu, Sekretar i Përgjithshëm i BTK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme