Arbëri

Zjarrfikësit i kërkojnë Haradinajt zgjidhjen e problemeve të tyre

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkuan zgjidhjen e problemeve me të cilat ata ballafaqohen si një nga shërbimet emergjente në vend.

Muharrem Bejta i renditi kërkesat sindikale, me shpresë që kryeministri t’u dalë në ndihmë.

“Prej vitit 2008 jemi në një gjendje që është shumë e paqartë, në të gjitha aspektet. Të gjitha kërkesat tona kanë mbetur vetëm në letër. Kemi organizuar edhe protesta, por askush nuk është marrë me ne”, ka thënë Bejta.

Ai ka kërkuar definimin e statusit ligjor, të qartësohet nëse me zjarrfikësit menaxhon Qeveria qendrore ose komunat, rritjen e buxhetit për pajisjet teknike, pasi zjarrfikësit janë të rrezikuar më shumë nga pajisjet që i kanë, se sa nga zjarret, të pranohet puna jashtë orarit dhe të shqyrtohet mundësia e rritjes së pagave dhe pensioni i beneficuar.

Nga ana e tij, kryeministri Haradinaj u tha sindikalistëve të zjarrfikësve, se Qeveria që ai e udhëheq po përpiqet që t’i kuptojë dhe të përballet me të gjitha temat në vend, përfshirë edhe zjarrfikësit.

“Mos përtoni, ato që vlerësoni që janë me rëndësi që t’i dimë ne dhe që mendoni që janë detyrat tona, po ashtu të na i vini në dukje”, tha Haradinaj.

Ai u zotua se do të qartësohet shpejt situata se cilat janë marrëdhëniet e zjarrfikësve me komunën dhe cilat janë të nivelit kombëtar, dhe në këtë aspekt të dihet se cilën të drejtë duhet ta kërkojnë zjarrfikësit nga komuna dhe cilën nga Qeveria.