Nuk do të tolerojmë në pafundësi këto probleme në shëndetësi, thotë Ismaili

Nuk do të tolerojmë në pafundësi këto probleme në shëndetësi, thotë Ismaili

07 tetor 2017 13:34

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se nuk do të tolerojë që gjendja aktuale në shëndetësi të vazhdojë në pafundësi dhe se të gjithë duhet të jenë pjesë e reformës, në mënyrë që të arrihen ndryshimet pozitive.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që i bëri sot spitalit të përgjithshëm të Prizrenit “Prim. Dr. Daut Mustafa”, ku është njohur me problemet me të cilat ballafaqohen pacientët dhe sektori i shëndetësisë.

Ministri Ismaili ka kërkuar nga menaxhmenti i spitalit që të jenë në krye të detyrës për të ngritur nivelin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore të nevojshme për qytetarët e këtij regjioni, pasi që, Spitali i Prizrenit ofron shërbime për rreth 500 mijë banorë të regjionit dhe qytetarët e disa zonave të veriut të Shqipërisë.

Ismaili u zotua që do të bëjë gjithçka që pacienti të jetë prioritet dhe atyre t'u ofrohen shërbime kualitative dhe në kohë.

“Sektori sot ka shumë probleme dhe ne nuk do të tolerojmë një gjendje të tillë që ta zgjas në pafundësi. Secili nga ne duhet të jetë pjesë e reformës, sepse ajo nuk zhvillohet nga një njeri, kështu që edhe institucionet dhe personeli edhe qytetari, secili duhet të bëhet pjesë e reformës në mënyrë aktive, që ta arrijmë qëllimin”, tha ministri Ismaili, përcjell ksp.

Ai tha se sektori ka nevojë për vendosje të rregullit, transparencës dhe llogaridhënies, për çfarë do të punohet në mënyrë ekipore.

Drejtori i SP të Prizrenit, Afrim Avdaj e ka njoftuar ministrin dhe Bordin e ri drejtues për punën që bëhet në këtë spital, ngritjen e nivelit të shërbimeve për pacientët, por edhe për sfidat dhe nevojat që i ka spitali.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme