Haradinaj takoi kryesindikalistët e SBASHK-ut, PTK-së dhe KEK-ut

Haradinaj takoi kryesindikalistët e SBASHK-ut, PTK-së dhe KEK-ut

07 tetor 2017 12:20

Kryeministri Ramush Haradinaj, priti Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), të përfaqësuar nga kryetari Rrahman Jashari.

Haradinaj tha se arsimi është njëra prej temave me të cilën Qeveria që ai drejton do të merret në vazhdimësi.

“Kjo situatë e re na obligon tani që të kujdesemi që marrëdhëniet tona të jenë të vërteta dhe që t’i bëjmë punë vendit. Masat që po i marrim, do të dinamizojnë rritjen e buxhetit dhe pagave. Gjendja në arsim do të ndryshojë, jo vetëm në sipërfaqe, por substancialisht. Do të realizojmë më shumë se sa që kam premtuar”, ka thënë Haradinaj.


Kryeministri dëgjoi për të gjitha problemet që i shqetësojnë punëtorët e arsimit dhe u premtoi atyre se do të angazhohet, që këto probleme të zgjidhen sa më shpejt.


Ndërsa, në takim me sindikalistët e PTK-së, të prirë nga Lamih Balaj, kryetar dhe Ajet Ahmeti e Naim Haliti, bashkëpunëtorë, kryeministri Haradinaj u ka thënë atyre se edhe ato punë që dikush ka menduar që janë të parealizueshme dhe që kemi menduar që nuk mund të bëhen, kanë nisë të zgjidhen sipas dinamikave të përcaktuara.

Sindikalistët e PTK-së e informuan Kryeministrin se Sindikata e tyre është anëtare e Sindikatës së Postave të Evropës, mirëpo ata u ankuan se Telekomi dhe Posta e Kosovës janë në gjendje shumë të keqe. Kryeministri Haradinaj u tha atyre se nuk do të lë që të mbahen peng temat.

Image

“Duam ta ngjallim Kosovën dhe sektorin e posttelekomit. Ky takim me ju më ndihmon të shoh problemet edhe nga prizmi juaj. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, që ta rikthejmë këtë kompani në këmbë”, ka thënë Haradinaj.


Po sot kryeministri Haradinaj ka pritur edhe sindikalistët e KEK-ut, të udhëhequr nga Rafet Osmani, kryetar dhe nënkryetarët Muharrem Gashi e Nexhmi Llumnica. Sindikalistët e informuan kryeministrin se KEK-u si njëra nga kompanitë më stabile dhe fitimprurëse në vend nga keqmenaxhimi është sjellë në situatë të rëndë ngase investitorët po tërhiqen sepse nuk ka stabilitet të prodhimit të energjisë elektrike.


Në takim u fol për mihjet, gjendjen e Termocentralit A dhe B, për mënyrën se si do të mund të përmirësohet gjendja e punëtorëve dhe funksionimi më i mirë i KEK-ut si tërësi.

Kryeministri tha se sindikalistët duhet të ofrojnë plane dhe afate kohore, në mënyrë që kërkesat e tyre të ligjshme të realizohen.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme