Pacolli për Projektiligjin për Prishtinën: Hap i mirë por kemi nevojë për hapa më të mëdhenj

Pacolli për Projektiligjin për Prishtinën: Hap i mirë por kemi nevojë për hapa më të mëdhenj

06 tetor 2017 18:14

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar projektligjin për kryeqytetin ku kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe funksionimi i kryeqytetit sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se ky ligj duhet kaluar shumë më herët, por se qeveritë e kaluara e kanë vonuar.

Ka thënë se ky është vetëm një hap tutje, por se duhet ndryshuar dhe se Prishtina ka nevojë për hapa më të mëdhenj se ky.

Reagimi i Selim Pacollit:

Bashkëqytetarë të Prishtinës,

Qeveria e Republikës sē Kosovës sapo ka kaluar ligjin për Prishtinën, obligim ky kushtetues, të cilin u vonuan ta përmbushin qeveritë e kaluara. Kjo vonesë në kalimin dhe humbjen e madhe të kohës e mundësive të cilat i sjell ligji, është faturë që padrejtësisht e pagoi kryeqyteti dhe qytetarët, sepse teket, inatet, interesat e subjekteve dhe politikanëve nuk pushuan asnjëherë.

Le të jemi të qartë ky është vetëm një hap, të cilin e përshëndesim, por duhet të presim dhe nëse kërkesat dhe nevojat e qytetit janë më të mëdha, ne duhet ta plotësojmë e ndryshojmë këtë ligj pas një kohe zbatimi në praktikë.

Një hap i parë dhe i mirë, por Prishtina ka nevojë për hapa të shumtë dhe të mëdhenj.

Prandaj, mjaft me politikanë, Prishtinës i duhet një menaxher.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme