Arbëri

Haradinaj ka një lajm të mirë për prodhuesit vendorë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për lirim nga tatimi i akcizës të gjithë prodhuesit që importojnë vetë apo përmes kontraktuesit, të cilët janë autorizuar nga ATK-ja për shtyrje të TVSh së për lëndën e parë për të gjitha burimet e energjisë, të cilat përdoren për qëllime prodhimi.

Qeveria po ashtu ka miratuar propozim vendimin për lirim nga tatimi doganor të gjithë prodhuesit që importojnë vetë, apo përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga ATK për shtyrje të TVSh për lëndën e parë që përdoret në proces të prodhimit, gjysmë produktet, të cilat përdoren në proces të prodhimit, të gjitha linjat e makinerive prodhuese që përdoren në hapësira prodhuese për prodhim dhe pajisjet e teknologjisë informative.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media i quajti këto vendime të guximshme dhe lajm i mirë për Kosovën, transmeton kp.

"Sot do të ndalem te dy vendime të rëndësishme që ndërlidhen me prodhuesit e Kosovës që e liron nga akciza. Ky është një veprim i guximshëm që mund ta quaj lajm të mirë për Kosovën dhe prodhuesit", tha ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se vendimet e marra do të kenë efekt pozitiv për sektorin privat dhe prodhuesit.

“Ne do të vazhdojmë që të krijojmë ambient të përshtatshëm për prodhuesit tanë dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte", tha ai.