Policia e Kosovës ka pranuar konceptet e sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar

Policia e Kosovës ka pranuar konceptet e sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar

06 tetor 2017 15:18

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Flamur Sefaj, ka pritur sot një delegacion nga Britania e Madhe, të udhëhequr RichardRiley, drejtor i Departamentit për Krime Serioze në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që shoqërohej nga ambasadorin britanik, z. RuairiO’Connelli.

Në këtë takim ministri Sefaj e njoftoi delegacionin britanik për situatën e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe përpjekjet që po bëjnë institucionet e zbatimit të ligjit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Theks i veçantë në këtë takim iu vu luftimit të terrorizmit dhe masat të cilat kanë marrë të dy shtetet, fillimisht në parandalimin e përfshirjes së qytetarëve në pjesëmarrjen në luftërat e huaja dhe reintegrimin e qëndrueshëm.

Ministri Sefaj tha se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ishte e tejet e madhe për konsolidimin e sektorit për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, duke theksuar se është i kënaqur që Policia e Kosovës ka pranuar konceptet e sigurisë të krijuara nga Mbretëria e Bashkuar, siç është Policimi i Udhëhequr nga Inteligjenca dhe Policimi në Komunitet.

Ai shtoi se duke aplikuar këto dy koncepte nga agjencitë e sigurisë dhe ekzekutuesit e ligjit në Republikën e Kosovës, është përgjigja e duhur për natyrën komplekse të krimit të organizuar dhe terrorizmit, por gjithashtu edhe përgjigje për sigurinë e brendshme dhe nivelin thelbësor të kërkesave për siguri nga qytetarët.

Delegacioni britanik vlerësoi angazhimet që ka bërë Kosova sa i përket luftimit të terrorizmit dhe u shprehën të gatshëm të ndihmojnë duke u bazuar edhe në përvojat e tyre, sa i përket luftimit të kësaj dukurie që tashmë ka përfshirë të gjithë botën.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme