Dialogu me Serbinë i shkon pas Hashim Thaçit, kërkohet t’i kthehet Kuvendit

Dialogu me Serbinë i shkon pas Hashim Thaçit, kërkohet t’i kthehet Kuvendit

06 tetor 2017 12:32

Dialogu Kosovë-Serbi duhet t’i kthehet Kuvendit dhe ai duhet të jetë epiqendra e këtij procesi. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën “Roli i Kuvendit në të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi”.

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se bisedimet Kosovë-Serbi janë përcjellë me një jotransparencë dhe se Kuvendi i Kosovës është anashkaluar në këtë proces.

Konjufca e quan këtë një gabim të pafalshëm dhe kërkoi që ky dialog t’i kthehet Kuvendit dhe që Kuvendi të jetë epiqendra e këtij procesi.

“Sa ishte kryeministër Hashim Thaçi, e kishim njëfarë rregulli të nënkuptueshëm, që dialogu shkon përmes Qeverisë. Kur Hashim Thaçi e ndërroi pozitën e vet, vendosi që dialogu t’i përket presidentit. As nuk u pyet parlamenti, si institucioni më i lartë i vendit, e as institucionet tjera. Një proces kaq i rëndësishëm po i nënshtrohet tekave të një individi. Tash ne duhet ta shikojmë se ku do të jetë posti i ardhshëm i Hashim Thaçit, që me kuptu ku ka me qenë dialogu i ardhshëm me Serbinë. Kjo është e pafalshme. Kjo nuk është kulturë institucionale. Ky nuk është mentalitet institucional. Kjo të varet prej karrierës personale të një individit. Varësisht rrugëtimit të tij, atë fat do ta ketë edhe dialogu i Brukselit. Po insistoj, dialogu me Serbinë është e rëndësishme t’i kthehet Kuvendit të Kosovës. Kuvendi duhet të jetë epiqendra e dialogu dhe ndërtuesi i këtij dialogu. Kurse në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe me subjektet pavarësisht spektrit që i përkasin, apo formacioneve pozitë apo opozitë edhe me presidentin pse jo. Mirëpo ne refuzojmë këtë strategji të Hashim Thaçit, dhe për këtë nuk i bashkohemi atij. Sepse është një aventurë politike shumë e rrezikshme”, tha ai.

Deputeti Ahmet Isufi nga AAK tha se ata kanë mbështetur këtë dialog në mënyrë që ai të jetë i barabartë, mirëpo gjatë procesit, sipas tij, ka devijuar niveli i bisedimeve, duke u shmangur nga obligimet që janë marrë sidomos nga ana e Serbisë. Ndërsa thotë se formati i këtij dialogu duhet të ndryshojë.

“Degradimi i dialogut që ka ndodh në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë , na ka detyruar të themi që ky dialog është i dëmshëm prandaj formati i tij duhet të ndryshojë, duhet Kosova duhet ta ketë platformën paraprake që të shkoj në bisedime në tema që janë të dobishme për Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh obligimin e palëve. Tani e tutje duhet pasur kujdes. Kosova ka institucionet e veta, ka lidershipin e vet, ka përgjegjësinë ndaj këtyre bisedimeve dhe Kuvendi duhet të jetë institucioni që duhet ti përcjellë në vazhdimësi bisedimet të cilat mund të ekzistojnë. Përveç marrjes pjesë në krijimin një platforme që do të përcaktonte saktë, se cilat duhet të jenë segmentet e bisedimeve, po ashtu dhe nga përfaqësues që marrin pjesë në bisedimeve në emër të shtetit të Kosovës t’i raportojë Parlamentit të Kosovës”, tha ai.

Se Kuvendi duhet të jetë i kyçur në këtë proces e pranon edhe deputeti nga PDK-ja Elmi Reçica. Ai tha se duhet të bëhet një ndryshim, apo riformatim i këtij procesi.

“Nuk është e diskutueshme që që marrëveshjet ndërshtetërore duhet të ratifikohen në Parlamentin e Kosovës dhe atë me 2/3 e votave. Çdo marrëveshje rreth dialogut me Serbinë parlamenti duhet të jetë kyçur, duhet të jetë i i informuar dhe ata të cilët e udhëheqin me dialogun kushdoqoftë prej institucioneve, duhet të raportojnë në Kuvend. Patjetër që duhet të ratifkohet në Kuvendin e Kosovës, është çështje me interes jetik, dhe nëse nuk deklarohen dhe nëse nuk dakordohen 2/3 e përfaqësuesve të popullit. Dialogu ka ngec dhe pa rezolutën në rastin e z. Haradinaj. Ne kemi ditur që ka pasur ngecje dhe kemi kërkuar dhe tash kërkojmë që të bëhet një ndryshim, të bëhet një riformatim dhe ky riformatim domosdo kërkon konsensus. Dialogu me Serbinë që nga Vjena e tutje kam kërkuar konsensus nacional. Ka qenë një ekip unitetit që ka filluar këto bisedime dhe unë mendoj se duhet të krijohet një Ekip i Unitetit, që do të duhej t’i përmbyll këto bisedime”, tha ai.

Ndërkaq Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën, tha se nuk duhet të vazhdohet më me politikën e strucit dhe se nuk duhet të merren vendime të ngutshme në dialogun Kosovë-Serbi, të cilat e sjellin shtetin në vështirësi, siç ka ndodhur dhe me marrëveshjen me Demarkacionit.

“ Mirë është tani e tutje të përqendrohemi në të ardhmen si e shohim si shoqëri, si shtet si parti politike në përgjithësi dialogun me Serbinë dhe çka synojmë. Të mos vazhdojë me politiken e strucit, të bëhemi sikur asgjë s’po ndodh. Jemi dëshmitar kur shtete hyjnë në obligimet ndërkombëtare, është vështirë dhe shpesh herë e pamundur të kthehen mbrapa. Jemi dëshmitar të marrëveshjes me demarkacionin. E shihni në çfarë vështirësi e kanë sjellë shtetin, detyrimet e ngutshme të papërgjegjshme. Sikur të kishim pasur një qeveri me të përgjegjshme, jam i sigurt që nuk kishim ardhur në atë gjendje. Le të mos ngutemi ta konceptojmë dialogun si një instrument, përmes së cilit që do ta vazhdojmë dhe përmbyllim fazën e mosmarrëveshjeve me Serbinë “, tha Sherifi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme