Pacolli: Nëse nuk gjejmë dëshmi për demarkacionin kthehemi te marrëveshja e parë

Pacolli: Nëse nuk gjejmë dëshmi për demarkacionin kthehemi te marrëveshja e parë

05 tetor 2017 22:42

Kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka folur për njërën prej çështjeve më problematike me të cilën ballafaqohet Kosova, atë të demarakcionit.

Në një intervistë për DW ka thënë se nuk do të merret me atë çfarë ka ndodhur para ardhjes së tij në detyrën që mban tash, por sipas tij realiteti është që ka një problem që kërkon zgjidhje.

“Kemi një marrëveshje të nënshkruar me palën malazeze dhe ajo marrëveshje është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, mbetet të ratifikohet edhe në parlamentin e Kosovës. Ajo marrëveshje tashmë ka marrë një karakter ndërkombëtar dhe është një marrëveshje që ‘de-jure’ kërkon të respektohet. Unë nuk kam probleme që ajo marrëveshje nuk respektohet, sepse askush nuk ka bërë akoma asgjë, askush nuk ka shkuar ta spostojë kufirin me poshtë dhe ne nuk kemi konflikt me Malin e Zi”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se ekziston edhe një fakt tjetër që në Kosovë opinioni është i ndarë sa i përket kësaj çështjeje dhe ky opinion shihet edhe në parlamentin e Kosovës.

“Për Malin e Zi çështja e demarkacionit është çështje e mbyllur, ne e kuptojmë atë dhe e respektojmë, por ne duhet ta shohim këtu brenda se ç’ka ndodhur. A ka baza reale që të dëshmohet se marrëveshja e nënshkruar nuk është e drejtë dhe vërtetë kemi humbur territor apo jo. Unë e di që Mali i Zi nuk është i interesuar që të marrë territor të Kosovës, sikundër që Kosova nuk është e interesuar që të marrë territor të Malit të Zi. Por, sidoqoftë është e drejtë e çdo qytetari të Kosovës që ta di se si qëndron puna. Tash është formuar një komision dhe ky komision duhet t'i sjell dëshmitë e vlefshme të përdorura ndërkombëtarisht që marrëveshja paraprake ka qenë e gabuar. Nëse nuk ka dëshmi ne do të kthehemi prapë te marrëveshja e parë. Mali i Zi nuk ka asnjë arsye të ngutet dhe të kërkojë diçka nga ne të cilën ne sot nuk mund ta bëjmë, siç është ratifikimi tash i asaj marrëveshjeje”, ka thënë Pacolli për DW.

Pacolli ka thënë tutje se tash është problem i Kosovës, sesa është në gjendje që të ketë dëshmi dhe ta dëshmojë, se është i nevojshëm një negocim tjetër.

“Unë personalisht mendoj se duhet të sillen faktet. Nëse nuk ka fakte, ne duhet t’u tregojmë qytetarëve që nuk ka fakte dhe marrëveshja është ajo që është”, ka thënë Pacolli.

Ai ka folur edhe për vizitën në Bruksel.

“Gjatë vizitës sime që kisha në Bruksel, unë nuk kam dashur që ta bëjë ndërlidhjen e këtyre dy çështjeve, demarkacionit dhe liberalizimit të vizave. Demarkacioni është një kusht i imponuar për Kosovën padrejtësisht dhe këtë ua kam thënë të gjithë atyre, me të cilët kam biseduar dhe në fund kisha biseda konstruktive dhe me komisionerin Johanes Hahn, zonjën Mogherini dhe ua kam thënë këtë dhe unë besoj që kam hasur në mirëkuptim dhe pothuajse është vendosur që të formohen dy grupe, një nga Kosova dhe një nga Komisioni Evropian për të biseduar mënyrën sesi të lirohemi nga kushti i demarkacionit dhe procesi i integrimeve të mos jetë peng i kësaj pike, por të ecet përpara dhe në procesin e integrimeve të përfshihet liberalizmi i vizave”, ka thënë Pacolli.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme