Arbëri

Grupi anti-Basha miraton platformën për ringritjen e PD

Descriptive Text

Lëvizja për Ringritjen e PD-së shpalli platformën e saj politike. Në dokument thuhet “Partia Demokratike gjendet sot në një situatë kritike për shkak të drejtimit të gabuar, që ka sjellë si pasojë deformimin e madh të programit e përfaqësimit politik, përjashtimin e forumeve dhe anëtarësisë nga vendimmarrja dhe dëmtimin e rëndë e progresiv të fuqisë elektorale të saj”.

Lëvizja fajëson kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si përgjegjësin kryesor për gjendjen, rezultatin në zgjedhjet e 25 Qershorit, si dhe humbjen e ekuilibrave të domosdoshëm të partisë. Sipas kësaj lëvizjeje, “Lulzim Basha veproi në thyerje të plotë të Statutit dhe të traditës, kur nënshkroi e i fshehu anëtarësisë e publikut Marrëveshjen e 18 majit me kryeministrin Edi Rama, kur paraqiti pa e konsultuar me askënd listën e deputetëve, si dhe kur pas humbjes së paprecedentë mori vendimin për të shkuar në zgjedhjen e kryetarit, pa lënë kohë dhe mundësi për analizë dhe reflektim”.

Lëvizja thotë se synon, që përmes zgjedhjeve me rregulla të qarta dhe të gjithëpranuara, të bashkojë dhe të ringrejë Partinë Demokratike për ta rikthyer atë në forcën kryesore qeverisëse të vendit.

Por çfarë propozohet konkretisht?

1- Caktimi i një afati jo më vonë se 9 muaj për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në parti, ku të përfshihen të gjitha institucionet e saj.

2- Procesi i analizës në parti të drejtohet nga një grup (komision) pune me përfaqësim të balancuar.

3- Krijimi i një komisioni të balancuar për ndryshimet statutore.

4- Ngritjen e një komisioni zgjedhor me përfaqësim të barabartë, që të kryesohet nga një përfaqësues i Lëvizjes për Ringritjen e PD-së, si garanci minimale për zgjedhje të drejta dhe të barabarta.

Në platformën e kësaj lëvizjeje përfshihet edhe një pikë, sipas së cilës në konceptin politik të saj duhet të pranohet rregulli se, humbja e zgjedhjeve politike duhet të shoqërohet me dorëheqje të menjëhershme dhe të parevokueshme të kryetarit të Partisë Demokratike.

Mbrëmjen e së martës u bënë publike edhe emrat që e mbështesin dokumentin, ku bien në sy Besnik Mustafaj, Astrit Patozi, Ridvan Bode, apo Majlinda Bregu, por edhe mungesa e disa kritikëve të Bashës, si Jozefina Topalli, Genc Ruli apo Arben Imami. Megjithatë, në dokumentin e bërë publik thuhet se lista e mbështetësve mbetet e hapur për çdokënd që mbështet PD-në.