Hoti: LDK do ta votojë IPA –n, Haradinaj s’ka forcë ta shkarkojë Rikallon

Hoti: LDK do ta votojë IPA –n, Haradinaj s’ka forcë ta shkarkojë Rikallon

03 tetor 2017 18:21

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti mbajti një konferencën për media lidhur me interpelancën e sotme për rastin Rikallo dhe për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, transmeton Koha.net.

Hoti tha se LDK-ja do ta votojë për ratifikimin e marrëveshjes IPA .

Sipas tij, interpelanca e sotme u përmbyll pas një debati, që në disa raste devijoi nga tema.

Ai shtoi se mocioni për shkarkimin ministrit Rikallo nuk u mbështet nga deputetët e pozitës dhe kjo, sipas tij, tregon qartë varësinë e plotë të funksionimit të Qeverisë Haradinaj nga grupi politik prej nga vjen ministri Rikallo.

Me këtë veprim, kryeminsitri Haradinaj e bëri të qartë edhe një herë se vendimet për shkarkime të ministrave serbë merren tjetërkund. Ato vendime nuk merren në Prishtinë dhe jo nga ai, tha Hoti.

Ai shtoi se kryeministri do të donte ta shkarkonte, por është i pafuqishëm, tha Hoti duke shprehur keqardhje ndaj kryeministrit Haradinaj që është i detyruar të mbajë një ministër në kabinetin e tij, i cili është i akuzuar për torturë e dhunë ndaj qytetarëve të lagjes Dardania në Prishtinë.

Me këtë mosgadishmëri të tij, me refuzimin që i bënë mocionit, deputetët e koalicionit qeverisës dhe kryeministri Haradinaj kanë fyer të gjithë qytetarët që, nëse vërtetohen akuzat, kanë qenë të keqtrajtuar nga ministri Rikallo, tha Hoti .

Ai në vazhdim foli për marrëveshjen IPA 2016, e cila, sipas tij, është negociuar nga Qeveria Mustafa.

Në marrëveshje shkruan tekstualisht se fondet ndahen në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Kosovës bazuar në strategjinë zhvillimore 2015-2018.

Kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale.

Sigurisht që nuk mund të lejojmë që një marrëveshje e tillë të mos ratifikohet tha ai duke përfunduar se “i vetmi partner kredibil i BE-së në Kosovë është LDK-ja. Dhe ne do të ruajmë e forcojmë gjithmonë partneritetin me BE-në”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme