Zgjedhjet në SHBA: Miliona përdorues në Facebook panë reklama ruse Foto: Reuters / ilustrim

Zgjedhjet në SHBA: Miliona përdorues në Facebook panë reklama ruse

03 tetor 2017 15:16

Facebook tha se rreth dhjetë milionë njerëz kanë parë reklama që kanë qenë të lidhura me Rusinë, para dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016.

Rrjeti më i madh social në botë ka dorëzuar mbi 3,000 reklama te tre komitete të Kongresit amerikan, që po hetojnë ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Elliot Schrage, nga Facebook, tha përmes një postimi se “shumica e këtyre reklamave janë përqendruar në mesazhe përçarëse dhe politike, duke prekur tema nga çështjet e komunitetit homoseksual deri te raca, migrimi dhe të drejtat për armë”.

Facebook tha se 44 për qind e këtyre reklamave janë parë përpara zgjedhjeve të nëntorit, 2016, dhe 56 për qind pas zgjedhjeve, raporton REL.

Moska ka mohuar se është e përfshirë në reklama, ndërkohë që Facebook është përballur me thirrje për më shumë norma nga autoritetet amerikane.

Shefi ekzekutiv i rrjetit social, Mark Zuckerberg, ka shpalosur disa hapa që kompania e ka në plan t’i ndërmarrë, për t’i penguar qeveritë që të abuzojnë me platformën sociale.

Facebook ka thënë se planifikon të punësojë edhe 1,000 veta për të kontrolluar reklamat dhe për të siguruar se ato i përmbushin kushtet. Me këtë synohet të pengohet Rusia dhe vendet e tjera nga përdorimi i platformës për ndërhyrje në zgjedhje.

Facebook po ashtu ka thënë se rreth 25 për qind e reklamave nuk janë shfaqur kurrë te askush.

“Kjo ndodh sepse reklamat arrijnë njerëz në bazë të relevancës, andaj reklama të caktuara mund të mos arrijnë tek askush”, tha Elliot Schrage, nënpresident i Facebook-ut për politika dhe komunikime.

Derisa hetimet vazhdojnë, ai tha se Facebook ka mundësi të gjejë më shumë reklama të lidhura me Rusinë.

Schrage kritikoi edhe blerësit e reklamave për përdorim të llogarive të rreme.

Facebook është duke punuar me të tjerë në sektorin e teknologjisë, përfshirë Twitter dhe Alphabet Inc's Google, në hetimin e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhje, tha Schrage.

Facebook po ashtu tha se do të nisë të kërkojë dokumentacion më të plotë nga njerëzit që duan të bëjnë reklama rreth zgjedhjeve federale në SHBA, duke kërkuar nga ta të konfirmojnë bizneset ose organizatat e tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme