Arbëri

Haradinaj: Vota ime për versionin aktual të demarkacionit është Jo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është këmbëngulës se nuk e përkrah versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi.

Kjo deklaratë e kryeministrit është bërë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës kur u pyet nga deputeti i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj nëse ka ndërruar qëndrim për demarkacionin.

Molliqaj e shtroi këtë pyetje për kryeministrin pasi që sipas tij ai më nuk po e përmend Bjelluhën si pikë kufitare por vetëm Çakorrin dhe Kullën.

“Zona që po flasim edhe parimi i ndarjes së territorit janë majat e larta, nga Çakorri, Kulla, do të thotë majat e larta. Zona e Bjelluhës përfshihet nga pjesa e majës e këtej dhe nuk shoh ndonjë dallim. Nuk e kam precizuar asnjëherë krejt vijën majë m’maje, por kontesti është i hapur në dy rrugë, pra akset rrugore prej Plavës dhe ajo që vjen prej Rozhajës. Shikoni, Arbitrazhi si temë, procedurat si pasojnë mes shteteve ose standardet unë nuk i shpiku sot. Pra ajo që është në kompetencë tonën jemi duke e bërë, e kemi ndërruar një komision, ka filluar punën një komision tjetër i ka duart e lira, e ka përkrahjen e kabinetit dhe partnerëve të koalicionit që ta gjejë të vërtetën. Ne presim të vërtetën, nuk mundemi tash të prejudikojmë tani, presim të gjeturat dhe do të diskutojmë bashkë. Ju e dini qysh është vota ime personale për këtë version, është jo edhe mbetet jo”, tha Haradinaj.