Arbëri

Murati: Shteti spanjoll nuk mund ta ndalë vullnetin për pavarësi të katalanasve

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se ekziston dallim i madh në mes të mënyrës sesi iu përgjigj Britania e Madhe kërkesës së Skocisë për referendum për pavarësi dhe reagimit të shtetit spanjoll ndaj kërkesës katalanase për të njëjtën gjë.

Murati thotë se kjo është dëshmi se në Evropë kemi tradita të ndryshme të demokracisë, prej Britanisë së Madhe si djep i demokracisë dhe Spanjës që deri në vitet e 70’ të shekullit të kaluar ishte diktaturë.

“Reagimi i shtetit spanjoll, nuk mund ta ndal vullnetin për pavarësi të katalonasve, por gjithsesi mund ta tensionojë situatën. Përderisa reagimi britanik (apo edhe ai kanadez në Kuebek) që ka lejuar referendumin ka shtensionuar situatën në maksimum. Përndryshe nuk duhet të harrojmë që qyteti i Barcelonës ka qenë ndër të parët që ka ndihmuar Kosovën pas luftës dhe parlamenti katalonas ndër të parët që ka përshëndetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Murati përmes një postimi në Facebook.