Arbëri

Phillips: Serbia ta njohë Kosovën, bashkë të hyjnë në BE

David Phillips nga Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut, i cili është pjesë e Universitetit të Colombias, që po qëndron në Kosovë ka dhënë një intervistë për Kohavisionin.

Në “Interkativ” ai ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë një rezultat dhe kjo duhet të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Sipas tij, duhet të ndodhë pranimi i Kosovës në OKB dhe që Kosova dhe Serbia të hyjnë së bashku në Bashkimin Evropian.

“Dialogu duhet të riemërohet në negociata shtet më shtet”, ka thënë Phillips. “Një përfaqësues i lartë i BE-së duhet t’i bashkohet përfaqësuesit amerikan. Dialogut i duhet format i ri, strategji e re, dhe një afat kohor për përfundim”, ka thënë më tej ai.

Phillips ka thënë se duhet të ketë një vendim të qartë se kush e udhëheq dialogun në emër të Kosovës.

“Sipas meje, kurrë nuk ka pasur një vendim të qartë për këtë”.

Ai ka folur edhe për rolin e Rusisë në këtë aspekt, si dhe për “dialogun brendshëm” që ka nisur Serbia rreth çështjes së Kosovës.

Mirë se vini në KTV, zoti Philips.

Faleminderit juve.

Dua të filloj duke ju pyetur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo është temë në të cilën keni punuar dhe kenë bërë një raport. Kanë kaluar disa vjet që prej nisjes së dialogut dhe ne ende nuk kemi parë një epilog. Sipas jush, cili duhet të jetë përfundimi dhe a është koha e duhur për t’u përmbyllur procesi?

Dialogu deri më tash ka qenë teknik, por ai duhet të jetë edhe politik. Dialogu duhet të ketë një rezultat dhe kjo duhet të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Duhet të ndodhë pranimi i Kosovës në OKB dhe që Kosova dhe Serbia të hyjnë së bashku në Bashkimin Evropian. Këta hapet e vogël për ndërtimin e besimit janë të mirë, por ato vetëm mund të kontribuojnë në zgjidhjen përfundimtare të çështjeve biletarale që duhen të bazohen në njohje të dyanshme.

Është e qartë që këtë e dëshiron Kosova, por Serbia është kundër njohjes dhe ulëses për Kosovën në OKB. A është BE-ja, SHBA-ja apo kush duhet të flasë me Serbinë për këtë çështje?

Deri më tani, e dimë që BE-ja ka qenë e përfshirë në ndërmjetësim, por siç ne e njohim politikën e Ballkanit duhet që SHBA-ja të përfshihet për të pasur një zgjidhje. BE-ja duhet të kërkojë nga SHBA-ja që të emërojë një përfaqësues të veçantë në dialog. Dialogu duhet të riemërohet në negociata shtet më shtet. Një përfaqësues i lartë i BE-së duhet t’i bashkohet përfaqësuesit amerikan. Dialogut i duhet format i ri, strategji e re, dhe një afat kohor për përfundim. Ka hapësirë për përmirësimin e procesit. Deri më tani ka qenë thjesht mundësi për fotografimi për Federica Mogherinin, Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin. Është koha për të nisur punën.

Çka ndodh nëse Rusia kërkon të bëhet pjesë e kësaj zgjidhjeje përfundimtare?

Nuk më intereson aspak çka dëshiron Rusia. Interesi i saj i vetëm në rajon është të përzihet, dhe të mbrojë interesat e Serbisë. Kjo ideja e solidarizimit sllavik, ortodoks është një mashtrim i madh. Interesi i vetëm i Rusisë në rajon është të pengojë shtetet pro-perëndimore dhe të kufizojë ndikimin amerikan. Atyre (rusëve) nuk u intereson aspak fati i serbëve. Serbët duhet të dinë që interesat e tyre përputhen me Evropën, e jo me Euro-Azinë apo Rusinë dhe duhet të sillen kështu.

Presidenti serb, Vuçiq, e ka nisur atë që e ka quajtur “dialog të brendshëm” për Kosovën. A e shihni këtë si shenjë pozitive në Serbi për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare për Kosovën?

Ata mund të kenë dialog të brendshëm, por ka të bëjë me atë se çka diskuton. Për Vuçiqin dialogu ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. Nuk ka të bëjë me njohjen e Kosovës në kufijtë aktualë. Ideja e tij për zgjidhjen është ta marrë pjesën veriore të Kosovës dhe ta bëjë pjesë të Serbisë, dhe ta lërë Kosovën si shtet të gjymtë. Kështu nuk bën. Duhet t’i bëhet e qartë prej fillimit që dialogu ka të bëjë me njohjen, që është i kushtëzuar që nëse nuk ka progres në procesin e njohjes së Kosovës, s’ka progres për të në rrugën e BE-së. S’ka progres, s’ka kapituj për anëtarësim. Kapitulli 35 në procesin e anëtarësimit është shumë i qartë: Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, nëse dëshiron që të ketë të hapur rrugën e BE-së. Normalizimi duhet të definohet dhe normalizimi do të thotë njohje.

Ndenja e përgjithshme në Kosovë është që Serbia ka fituar shumë më shumë në procesin e dialogut sesa Kosova. Se Serbia i është afruar BE-së, e Kosova nuk ka fituar shumë, madje as liberalizim nuk ka.

Ky ka qenë një proces dhe ka pasur hapa të vegjël. Serbia nuk ka fituar shumë. Ajo që ka arritur është të frustrojë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë dhe të frustrojë pjesëmarrësit nga Kosova. Ajo që Serbia po shpreson është që BE-ja të humbasë durimin, ta harrojë Kapitullin 35 dhe ta integrojë Serbinë në BE dhe ta lë Kosovës si një shtet të dështuar, procesi i shtetndërtimit të të cilit nuk ka funksionuar, ta lërë një vrimë të zezë në mes të Evropës.

Por, çka ka fituar Kosova nga ky dialog?

Një proces është në vend dhe nga i cili Kosova mund të përfitojë. Ka pasur hapa të vegjël sa i përket kodit shtetëror dhe targave të veturave, por nuk ka pasur ndonjë përfitim të vërtetë që ka ndikuar në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Dialogu nuk duhet të ndodhë vetëm sa për të biseduar. Dialogu duhet të jetë negocim, të ketë një agjendë dhe një rezultat. Evropianët thjesht nuk e kanë këtë mentalitet. Amerikanët e kanë. Prandaj, SHBA-ja duhet të jetë në tavolinë dhe të angazhohet në mënyrë pro-aktive. Nëse Washingtoni nuk angazhohet ka potencial që gjithçka të shpërthejë dhe të ketë rishfaqje të armiqësive dhe ne do të ktheheshim shumë më mbrapa sesa kur nisi dialogu.

Dialogut është udhëhequr për shumë vjet nga Qeveria dhe kryeministri. Tani, presidenti Thaçi po shkon në Bruksel për takime me presidentin serb. Si e shihni këtë ndryshim? A duhet të jetë qeveria përgjegjëse për dialogun?

Duhet të ketë një vendim të qartë se kush e udhëheq dialogun në emër të Kosovës. Sipas meje, kurrë nuk ka pasur një vendim të qartë për këtë. Nuk ka pasur caktim për këtë. Kushdo që e udhëheq dialogun duhet të ketë një ekip, i cili do të jetë i aftë për të menaxhuar gjithë këto çështje komplekse. Dialogu nuk ecën përpara, vetëm se dikush dëshiron të marrë pjesë, shkon në Bruksel kur është koha që kamerat të ndizen, dialogu duhet të jetë përmbajtësor, për politika dhe përfitime praktike për njerëzit e Kosovës. Në të kundërtën, s’ka kuptim që të vazhdojë.

Presidenti ynë në fakt, ka thënë se duhet të ketë një referendum që të pyesin njerëzit e Kosovës për marrëveshjet përfundimtare. Nëse delegacioni i Kosovës insiston që Serbia ta njohë Kosovën, atëherë cili është qëllimi i këtij referendumi? Qartë secili do ta mbështeste.

Nuk ka asnjë qëllim kjo. Është thjesht show politik. Çka duhet të keni është një marrëveshje dhe kjo marrëveshje duhet qartësisht të jetë në të mirë të Kosovës. Ne e dimë se për çka duhet të jetë ky dialog. Janë tri faza në të cilat unë jam përfshirë për më shumë se 30 vjet. E para ishte liria që përfshiu intervenimin e NATO-s, faza e dytë ishte konsolidimi, unë pata qëlluar këtu në fundjavën e shpalljes së pavarësisë dhe tani faza e tretë është njohja. Ne jemi duke e bërë këtë për 7 vjet, dialogun, deri tani çështja e njohjes as nuk është vënë në tavolinë për diskutim, kështu që t’i kthehemi çështjes së vërtetë.

A mendoni se z.Thaçi është njeriu i duhur që ta arrijë këtë? Ju e dini ai ka mbështetje të madhe këtu, ka qenë kryeministër për një kohë edhe pse herën e kaluar është zgjedhur nga Parlamenti herën e kaluar, por njerëzit e shohin atë dhe z.Vuçiqin si persona të duhur për të marrë vendimet e vështira.

Presidenti Vuçiqi tashmë e ka bërë të qartë se ideja e tij për dialogun është për ndarje, pra nëse nuk e ndërron këtë qasje ai nuk është njeriu i duhur dhe unë nuk janë në pozitë të them se kush në Kosovë do të duhej ta udhëhiqte dialogun, unë vetëm dua që ai të jetë përmbajtësor. Dua që të ketë një agjendë, një strategji dhe një afat. Deri tani ka pasur shumë tema të ndryshme për të cilat është negociuar, por BE-ja kurrë nuk ka publikuar një dokument ku shqyrton zbatimin e marrëveshjeve. Ne në universitetin Columbia e kemi bërë këtë. Ne mendojmë që Bashkimi Evropian duhet të krijojë një mekanizëm të monitorimit. Nëse BE-ja nga ana e vet nuk përmbush zotimin, atëherë duhet të ketë edhe ndëshkime. Fondi i IPA-së duhet të suspendohet dhe duhet t’i bëhet e qartë për Beogradin se nuk do të hapet asnjë kapitull tjetër për anëtarësim, nëse ata pengojnë procese të Kosovës. Në të kundërtën, bëhet dialog i pasinqertë që nuk shkon askund dhe nuk kemi kohë për këtë.

Në fakt, Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha obligimet që i ka nga dialogu. Nuk ka krijuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për të cilin u dakordua në Bruksel dhe për shumë vjet serbët janë duke e kërkuar atë. A mendoni se Qeveria e re është në gjendje të krijojë Asociacionin?

Sigurisht. Nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Por, sinqerisht nuk ka nevojë për Asociacion të tillë. Tashmë Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës e kanë bërë të qartë se ka masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Dhe vendimi që të mos zbatohet kjo marrëveshje nuk është marrë pas asnjë arsye, por ishte e lidhur me marrëveshjen për Energjinë dhe dështimin që Serbia ta zbatojë atë. Mund të ketë argumente të ndryshme për lidhjen e këtyre dyjave, por kjo duhet të shikohet në total. Kur shihni marrëveshjet në përgjithësi, Serbia është e qartë se bllokon dhe nuk ka qasje pozitive ndaj dialogut. E quan dialogun partnership ndërmjet Republikës së Serbisë dhe krahinës së saj, Kosovës. Në këtë mënyrë bëhet fjalë për dy shtete të barabarta dhe sovrane. Tavolina e bisedimeve në Bruksel vazhdimisht është duke nënvlerësuar përpjekjen e Kosovës për të marrë njohje ndërkombëtare më të madhe, siç është anëtarësimi në UNESCO, përpjekja për anëtarësim në Interpol, Serbia madje dërgon delegacione në shtete si Maldivet që tashmë e kanë njohur Kosovën, duke u kërkuar atyre që t’i tërheqin njohjet. Kjo nuk është fryma e vullnetit të mirë. Kjo nuk dërgon askund, nëse Serbia nuk e ndërron qasjen. Pikëpamja e Serbisë për Kosovën është fundamentalisht e bazuar në shovinizëm.

Pra, mendoni se nuk ka nevojë fare për një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe?

Kur një vend është duke dal nga koha e pas konfliktit është e rëndësishme për minoritete që të ndjejnë se Qeveria po bën gjithçka që të promovojë interesat dhe të drejtat e tyre.

Pra, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një koncept i mirë që duhet të zbatohet. Parimet e marrëveshjes për AKS-në janë tashmë pjesë e Kushtetutës dhe Plani i Ahtisaarit është i qartë dhe Kosova tashmë është e përkushtuar ndaj tyre. Por, AKS-ja ishte gjë e mirë, dërgon mesazh te serbët e Kosovës por ai mesazh si i vetëm nuk është i mjaftueshëm. Qeveria e Kosovës ka nevojë për një plan gjithëpërfshirës për të integruar serbët e Kosovës dhe të caktojë dikë në Qeveri që do të ishte pikë reference dhe kontakti për serbët kur ata kanë nevojë. Përfshirja nuk është slogan, është politikë dhe praktikë dhe Qeveria e Kosovës mund të bëjë më shumë dhe më mirë kur është fjala për përfshirjen e serbëve të Kosovës, që t’i bëjë ata të ndihen si qytetarë të këtij vendi.