Drejtoresha e Zërit të Amerikës (VOA), Amanda Bennett, u prit sot edhe nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, në kuadër të vizitave që po i bën në pesë vende të Ballkanit.
Shala informoi drejtoreshën e Zërit të Amerikës se pavarësisht presioneve ndaj këtij televizioni, vullneti i gazetarëve është mjaft i madh për t’i kryer punët e tyre siç duhet.
Ndërkaq Bennett tha se mediet vazhdojnë të përballen me telashe të mëdha sidomos në aspektin e raportimit profesional dhe presionit nga grupet e ndryshme të interesit në rajonet e Ballkanit.
“Më ka bërë të lumtur të shoh lidhjet e fuqishme që SHBA-ja i ka në këtë rajon, posaçërisht këtu në Kosovë, dhe ne më të vërtetë dëshirojmë te vazhdojmë partneritetin tonë me organizatat këtu”, tha Bennett.
“Sfida më e madhe është që hapësira për pavarësi të gazetarëve ende nuk është e mjaftueshme dhe po bëhet me e vogël për shkak të interferencave në politikë, biznes në protokoll etj, kështu që hapësira për një gazetari të pavarur pavarësisht sfidave mendoj që është mjaftë e fuqishme”, deklaroi ajo.
Drejtuesit e “Zërit të Amerikës” do të qëndrojnë në Kosovë deri më 30 shtator.