Arbëri

Surroi: Thaçi e ka privatizuar dialogun, vendi ka nevojë për unitet politik

Kosovës dhe Serbisë i duhet një qasje e re në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, është thënë në Forumin 2015, ku po debatohet tema: Përfundimi i dialogut –Çka mund të presë Kosova nga ky proces?, raporton KTV.

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e Ekipit të Unitetit në bisedimet para pavarësisë, përmendi detyrat që duhet t’i bëjnë jo vetëm Kosova e Serbia në atë që duhet të ndryshohet në dialog por edhe me atë që BE-ja duhet ta bëjë.

Ai tha se negociatat janë privatizuar në masë të madhe nga presidenti Hashim Thaçi, i cili po i përdor ato për interesa personale derisa vendi ka nevojë për një unitet politik.

“Normalizimi duhet të jetë te vetë politika. Kosova që 7 vjet është kushtëzuar nga vetë raportet e dala nga pakoja e Marti Ahtisaarit, asaj i duhet të lirohet nga ajo dhe patjetër i duhet të ketë një konsensus të brendshëm pa këtë lloj konsensusi, nuk mund të ecim me këtë dialog,” ka thënë Surroi.

Sipas tij, BE-ja duhet të ndërrojë asimetrinë e saj që ka në raportin mes Kosovës e Serbisë, nuk mundet që njërit vend t’i premtojë shumë gjëra e tjetrit asgjë.

Kundër dialogut është rreshtuar edhe këtë radhë deputeti i VV-së, Albin Kurti.

Ai tha se do të vazhdojnë të jenë kundër dialogut pa parime, pasi sipas tij, së pari duhet të zhvillohet dialog me serbët e Kosovës, pasi dialogu i tanishëm nuk i ka kontribuar integrimit të serbëve në Kosovë, por as Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

Gazetari serb, Boshko Jakshiq, tha se ka pak gjasa që Serbia të ndryshojë qasjen e saj karshi Kosovës, por është shprehur se ky lloj dialogu i tanishëm është shumë gjatë me “frymëmarrje artificiale”, i cili nuk po sjell rezultate, andaj, sipas tij, është e domosdoshme të ketë një lloj marrëveshjeje obligative. Ai ka komentuar edhe idenë e re të Vuçiqit për një dialog të brendshëm në Serbi.