Arbëri

Pacolli në Bruksel: Demarkacioni nuk kalon

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli ka thënë në Bruksel pas takimit me Përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe siguri Federica Mogherini se i ka njoftuar zyrtarët e BE-së se Kosova në këtë moment nuk ka mundësi të bëjë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e zi dhe kërkon një rrugëdalje tjetër nga kjo sfidë, njofton korrespondenti i Kosovës nga Brukseli .

“Pata mundësi tua shpjegoj situatën reale në Kosovë, ashtu si është situate. Më duket se ua kam bërë të qartë se demarkacioni si i tillë nuk pritet të ratifikohet në këtë periudhë dhe në periudhën e ardhshme. Këtë e ka të qartë secili sot. Edhe dje e kam potencuar edhe sot” ka thënë Pacolli pas takimit me zonjën Mogherini.

“Tani është një sfidë e cila duhet të tejkalohet. Sigurisht duhet të gjejmë rrugë tjetër dhe duket se e shoh tani se ka hapësirë që të punohet në një alternativë tjetër, duke anashkaluar këtë problem. Jo për ta anashkaluar dhe lënë aty, por konsiderojmë se është një sfidë e cila nuk mund të tejkalohet tani. Pritet momenti i duhur. Kurrsesi proceset e integrimeve të mos ngelin dhe të mos presin që kjo sfidë të kryhet dhe të ecim përpara. Nëse e bëjmë këtë është gabim shumë i madh, edhe i Brukselit edhe i Prishtinës” ka thënë Pacolli.

“Më duket pasi përfundova këtë vizitë, është hap një perspektivë ku mund të punohet që në njëfarë mënyrë ta anashkalojmë këtë sfidë dhe sa më shpejtë të vijmë deri te liberalizimi i vizave. Nuk mund të them se kjo bëhet për një muaj, dy apo tre, por jam i lumtur se është folur për krijimin e një grupi punues i cili do të gjej rrugën alternative për të anashkaluar këtë problem të tanishëm dhe të ecim përpara” ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës.

Në pyetjen se sa mendon, sipas përshtypjeve të tij pas takimeve në Bruksel, se ka gatishmëri në BE për të pranuar ndonjë zgjidhje e cila nuk do të thoshte ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi si kusht formal , Pacolli është përgjigjur:

“Secili e di se ne nuk mund të mbyllemi dhe të merremi me diçka që nuk ka zgjidhje tani. Dhe për këtë ne do të takohemi, do të vazhdojmë punën dhe jam shumë i bindur se brenda një kohe të caktuar mund të themi se cila është ajo rrugë që do të dalim. Do ketë sigurisht një rrugë më pak të dhimbshme për Kosovën dhe e cila mund të jetë edhe më e shkurtër”.

Në vërejtjen se në BE insistojnë se ratifikimi është kusht i prerë dhe a mendoni se ka fleksibilitet që të mos jetë më kusht i prerë ratifikimi? Pacolli është përgjigjur:

“Ky kusht ndoshta është kuptuar se nuk ka qenë i domosdoshëm për kushtëzimin e liberalizimit të vizave. Këtë kusht jemi duke punuar që ta anashkalojmë. Të anashkalohet dhe të arrihet deri tek liberalizimi i vizave”.

Më takimin me Përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Ministri Pacolli ka përfunduar vizitën e tij dyditëshe në Bruksel. Ai ishte anëtari i parë i qeverisë së re të Kosovës që vizitoj Brukselin.