Arbëri

Bottemoeller-Pacollit: NATO do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Bruksel, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, u prit në selinë qendrore të NATO-s.

Ky takim i kreut të diplomacisë kosovare filloi me Zëvendës-Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Bottemoeller, për të vazhduar më pas edhe me pjesën zyrtare të shprehjes së qëndrimeve respektive dhe paralelisht me këtë edhe shikimit të mundësive për zgjerimin dhe rritjen e bashkëpunimit të dyanshëm.

Në vijim të këtij takimi, Bottemoeller fillimisht përgëzoi Zëvendës-Kryeministrin e Parë dhe Ministri e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, për zgjedhjen në këtë pozitë dhe gjithashtu e falënderoi për rolin, që ai kishte dhënë në zgjidhjen dhe tejkalimin e krizës politike, që po përballej vendi pas zgjedhjeve.

Në vazhdim, ajo ka shprehur interesim edhe për qëndrimin dhe qasjen e Institucioneve të Republikës së Kosovës përkitazi me procesin e mbarëvajtjes së dialogut me Serbinë si edhe zgjidhjen e çështjes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Sa i përket çështjes së dialogut Pacolli ka theksuar se kjo çështje duhet ta ketë një kornizë të qartë kohore, ndërsa në lidhje me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ai ka shprehur besimin që kjo çështje do të tejkalohet në mënyrën më të mirë, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve.

Rose Bottemoeller, ka ri-theksuar qëndrimin edhe të mëhershëm se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, ashtu siç edhe ka bërë në të kaluar.

Gjatë takimit është diskutuar edhe mbi procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, gjë për të cilën ka pasur dakordim se kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me NATO-n, në mbështetje të kornizës ligjore vendore si dhe në bashkërendim të veprimeve me shtetet shtetet aleate dhe partnere.

Pacolli, e ka falënderuar Zëvendës-Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Bottemoeller, në emër të asaj, që ai e ka cilësuar “të të gjithë brezave të Kosovës”, për rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të kësaj organizate në përfundimin e luftës, ndërtimin e paqes dhe vazhdimin e mëtejmë të ofrimit të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke vlerësuar se “nuk do të mund të imagjinohej Kosova dhe rajoni pa prezencën e NATO-s”.

Behgjet Pacolli, fillimisht ishte planifikuar të takohej me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, por, kjo nuk kishte qenë e mundur, pasi që ai ndodhej për një vizitë tjetër zyrtare.