Arbëri

Ali Ahmeti: Mos e përçani votën e shqiptarëve

Descriptive Text

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në tubimin e mbajtur në Shuto Orizarë me ç’rast ka ndarë shqetësimin me anëtarë e simpatizantë të partisë së tij për atë që ai e ka quajtur parcializimin të votës shqiptare.

Ai tha se në nivel kombëtar BDI-ja mbetet forca e parë, por ajo që e shqetëson është parcializimi i votës së shqiptarëve.

“Kjo më trazon shpirtin, sepse kështu shqiptarët përherë i kanë dashur të tjerët, që kanë dashur të dominojnë mbi shqiptarët, t’i sundojnë shqiptarët. Si mundesh shqiptarët t’i fusësh nën sundim më lehtë? Duke i përçarë”, citon kp të ketë thënë Ahmeti.

Ai ka rikujtuar thirrjen e mëhershme të tij të para dy vjetëve për unifikim të subjekteve politike shqiptare, që të mos ndahen e përçahen, por të bashkoheshin, qoftë edhe për të fituar BDI.

“Ka ardhur koha që shqiptarët të etablohen drejt politikisht dhe organizativisht. Ka ardhur koha që shqiptarët ta kuptojnë se copa-copa të ndarë janë të parëndësishëm, qoftë për veten e vet, qoftë karshi komunitetit ndërkombëtar, apo forcave mjaft të organizuara të komunitetit maqedonas. Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë akoma që përfaqësuesit e tyre shqiptarë të mbrojnë interesat e tyre në këtë shtet,” tha Ahmeti.

Duke folur për peshën e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, kreu i BDI-së tha se duhet t’u ofrojnë zgjidhje çështjeve që i preokupojnë qytetarët, nga ato të infrastrukturës, urbanizëm-planifikimit e deri tek çështjet që lidhen me arsimin e shëndetësinë.

Duke shpjeguar mos nxjerrjen e kandidaturës për të parin e Qytetit të Shkupit, Kumanovës, Ohrit, Prespës, kreu i BDI-së shpjegoi se kjo është bërë për qëllime pragmatike.

“Ne kryetarin e Qytetit të Shkupit nuk mundemi ta fitojmë. Atëherë, ne ndihmojmë partnerin e koalicionit në Shkup e ai na ndihmon ne ku ka mundësi në Tetovë, në Çair, Gostivar, Kërçovë. Në rrethin e dytë, gjithashtu ndihmojmë njëri-tjetrin. Unë nuk mund të punoj me standarde të dyfishta: jam në koalicion me LSDM-në po t’i ndihmojë VMRO-së. Këtë nuk e bëj asnjëherë, sepse kam respektuar njerëzinë në radhë të parë”, tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së ka thënë se më 15 tetor do të shënojnë fitore dhe do të vazhdojnë avancimin e çështjes shqiptare dhe të jetës së qytetarëve në përgjithësi.