Arbëri

Përsëritje e hapave për formimin e Ushtrisë së Kosovës

E ardhmja ushtarake e FSK-së po sillet në një rreth vicioz, raporton KTV.

Pavarësisht që qeveria ka paraparë që në fund të nëntorit FSK-së t’i ndërrohet mandati e në anën tjetër, presidenti thotë se pas 3 muajve do ta procedojë ligjin në Kuvend, ShBA-ja kërkon serish nisjen e dialogut me serbët para se të merret një vendim për të.

Në një intervistë për ‘Kohën Ditore’, Delawie ka potencuar se qëndrimet zyrtare amerikane në lidhje me procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, nuk kanë ndryshuar me ardhjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Në nëntor, Ramush Haradinaj ka paraparë që projektligji për Forcat e Armatosura të Kosovës ta procedojë në Kuvend.

Të paktën, kështu shkruhet në planin legjislativ, ku shqyrtimi i këtij ligji u parapa me 30 nëntor.

Në anën tjetër, zyra e presidentit të Kosovës thotë se pas tre muajve do të bëjë të njëjtën gjë që kishte bërë në mars, bërjen e ushtrisë nëpërmjet ligjit.

Njohësit e rrethanave të sigurisë thonë se Kosova humbi kohë, me faktin që nuk nisi në prill dialogun me serbët e Kosovës për t’i bindur ata se krijimi i ushtrisë nuk është kundër tyre.