Arbëri

Hoxha: Rruga jonë integruese është e pandalshme

Në Tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti, ku ishte e pranishme përfaqësuesja e BE-së për Kosovë, Nataliya Apostolova, diplomatë dhe ekspertë të integrimeve evropiane.

Hoxha shprehu përkushtimin për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, dinamika e të cilit konsideron ajo, duhet përshpejtuar.

“Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përmes së cilës Kosova për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përveç që është sukses, duhet të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.

Zbatimi i MSA-së, potencoi Ministrja, është prioriteti ynë më i rëndësishëm.

“Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullnet politik, kapacitete administrative dhe financim të qëndrueshëm”, theksoi Hoxha.

Ministria e Integrimit Evropian ka filluar rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është proces i rregullt vjetor i planifikimit të politikave për zbatimin e MSA-së, vuri në dukje ajo.

“Qëllimi i rishikimit është përditësimi i këtij programi dhe hartimi i masave afatshkurtra që do të zbatohen gjatë vitit 2018. Me qëllim të monitorimit të zbatimit të MSA-së, në muajin tetor do të mbahet takimi i parë i Komitetit në Bruksel, ndërsa në nëntor do të mbahet takimi i dytë i Këshillit”, potencoi ministrja Hoxha.

Me qëllim të prioritizimit të reformave para nesh, theksoi Hoxha, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë lansuar Agjendën Evropiane të Reformave apo shkurt ERA.

“ERA parasheh zbatimin e 22 prioriteteve konkrete nga një varg institucionesh. Unë do të ndërmarr të gjitha masat për të siguruar se të gjitha institucionet janë të vetëdijshme për prioritetet e tyre si dhe për të ofruar përkrahjen e MIE-së në kuadër të këtij procesi”, tha ajo.

MSA është një kontratë të cilën ne kemi lidhur me Bashkimin Evropian, vuri në dukje Ministrja, dhe në momentin e hyrjes në këtë marrëdhënie kontraktuale ne jemi zotuar se do të përmbushim kriteret e kërkuara dhe do të implementojmë këtë marrëveshje. Të 35 kapitujt e MSA-së janë të qartë sa i përket kritereve që duhet plotësuar, potencoi Ministrja.

Reformat, tha Hoxha, duhet të jenë në funksion të zbatimit të MSA-së si dokumenti i vetëm i cili duhet të jetë baza e reformave. Të gjithë kapitujt e MSA-së mund të implementohen duke ndërmarrë reforma të thella në sektorët përkatës.

“Konsideroj se prioritet duhet dhënë reformave në fushën e sundimit të ligjit, perafrimit të legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, zbatimit të legjislacionit, klimës së të bërit biznes, mbrojtjes së konkurrencës, avancimit të politikave të arsimit dhe punësimit si dhe bashkëpunimit rajonal”, theksoi Ministrja.

Ministrja e Integrimit Evropian shfaqi sigurinë e përkushtimit dhe seriozitet në zbatimin e MSA-së sepse nga ky zbatim do të varet rruga dhe e ardhmja e Kosovës drejt BE-së. Po ashtu theksoi ajo, pjesë e procesit do të jenë edhe shoqëria civile.