Kur pritet të bëhet intervistimi i ministrit Rikallo

26 shtator 2017 19:09

Prokuroria e Shtetit bën të ditur se pritet intervistimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, për dyshimet që e lidhin atë për abuzim me qytetarë gjatë kohës së luftës në Kosovë, raporton KTV.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënës se janë në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Këto komente ai i ka bërë pas takimit që pati me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

13 ditë pas ngritjes së dyshimeve për përfshirje në abuzime me civilë shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, ende nuk ka një aktakuzë kundrejt ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi, ka thënë se Prokuroria, në bazë të informacioneve të marra nga mediat, ka nisur fazën e hetimeve dhe është duke mbledhur materiale për pretendimet që e lidhin ministrin Rikallo me abuzime të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës.

Ai tha se kanë marrë informacione edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt pritet të merret në pyetje edhe vetë ministri për këto pretendime.

Kryeprokurori Lumezi, foli edhe për arrestimin e Bogdan Mitroviqit, me ç’rast tha se Prokuroria është duke i marrë provat dhe nëse ato janë të mjaftueshme do të ngrihet aktakuzë ndaj tij ose do të lirohet.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ishte nikoqir i takimit, foli edhe për pritshmërinë e Brukselit që marrëveshja për drejtësi e arritur më 2015, për pjesën veriore të vendit të nisë së zbatuari në mesin e tetorit.

Sipas tij, ajo tashmë ka nisur së zbatuari dhe se të gjitha vendimet e dala nga gjykatat atje janë dhe do të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në takim, ministri Tahiri dhe kryeprokurori Lumezi, thanë që janë pajtuar për punë të përbashkët në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke potencuar se tashmë Ministria e Drejtësisë ka bërë gati ligjin për kryeprokuror të shtetit, i cili do të procedohet në Kuvend për votim.

Ministri Tahiri theksoi se është i përkushtuar në plotësim-ndryshimet që po i bëjnë në kodin penal, në kodin e procedurës penale, si dhe në pjesën e rishikimit të legjislacionit, që ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme