Shqipëria, mbështetje vëllazërore Kosovës për krijimin e FAK-ut

Shqipëria, mbështetje vëllazërore Kosovës për krijimin e FAK-ut

26 shtator 2017 15:09

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha ishte homologu i parë që ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaçka priti në zyrën e saj këtë të martë dhe shprehu sigurinë se Berisha do të jetë një avokat i denjë i aspiratave të Kosovës për integrimin euroatlantik.

Xhaçka e ka siguruar Berishën se mbështetja e Shqipërisë do të vijojë të jetë konkrete dhe maksimale si në rrafshin politik ashtu edhe në atë teknik.

“E gjithë eksperienca e Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet me profesionalizëm dhe me dashamirësi tek vëllezërit tanë kosovarë. Aleanca më e madhe ushtarake e botës, një bashkim vlerash dhe përpjekjesh në mbrojtje të jetës, lirisë dhe demokracisë së popujve tanë, e ka prioritet të qartë politikën e ‘dyerve të hapura’ të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ministrja shqiptare e Mbrojtjes.

Integrimi i plotë i Ballkanit në NATO, sipas Xhaçkës, do të thotë më shumë siguri, më shumë stabilitet, më shumë demokraci, jo vetëm për vendet tona, por edhe për Aleancën në tërësi.

“Për më tepër integrimi është një ëndërr e përbashkët e popujve të Ballkanit, të cilët meritojnë të shpërblehen për sakrificat e tyre. I shpreha zotit ministër, bindjen time se, Republika e Kosovës, me ndihmën e pakursyer të vendeve aleate dhe atyre partnere, në përputhje me legjislacionin e brendshëm të saj, do të realizojë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të saj. Profesionalizmi dhe devotshmëria e FSK-së, në përmbushje të detyrimeve që rruga e integrimit në NATO imponon, besojmë se do të shpërblehet shumë shpejt”, ka thënë Xhaçka.

Ndërkaq, ministri Berisha nënvizoi se për palën kosovare, Shqipëria është aleati më i fuqishëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut dhe jo vetëm.

“Prioriteti aktual i FSK është të përshpejtojë transformimin në Forca të Armatosura. Dhe më lejoni të theksoj edhe këtu në Tiranë se formimi i FA nuk është në kundërshtim me pakicat serbe, por përkundrazi, është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Berisha.

Pas nënshkrimit në librin e nderit dhe takimit mes dy delegacioneve, dy homologët Xhaçka dhe Berisha dolën në një deklaratë për shtyp ku kryefjala ishte vijimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes si në rrafshin politik dhe atë teknik.

“Profesionalizmi dhe devotshmëria e FSK në përmbushje të detyrimeve që rruga e integrimit në NATO imponon, besojmë se do të shpërblehet shumë shpejt. E sigurova ministrin Berisha se bashkëpunimi ynë do të vijojë me ritëm intensiv si përherë. Ka një implementim pothuaj tërësor, sipas referencës kohore, të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2017, ndërkohë që stafet po punojnë për planin e vitit që vjen”, tha ndër të tjera ministrja Xhaçka.

Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni kosovar, i shoqëruar nga zëvendësministri Petro Koçi mori pjesë në një mësim tregues mbi taktikat stërvitore për pjesëmarrjen në misione, në Batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme