EdGuard preferon agjenci ndërkombëtare për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë

EdGuard preferon agjenci ndërkombëtare për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë

26 shtator 2017 13:02

Instituti për Studime në Edukim në Prishtinë, EdGuard, ka ndjekur me kujdes vendimin e kryeministrit për shkarkim të organeve udhëheqëse të Agjensionit Kosovar të Akreditimit (AKA), thuhet në fillim të komunikatës për media të këtij institucioni. Duke qenë se kemi hulumtuar këtë proces për tashmë gjashtë muaj, mund të përfundojmë që vendimi i kryeministrit nuk është për t’u konsideruar i befasishëm. Është shqetësues mungesa e argumentimit për një vendim të tillë dhe ka rëndësi që kjo të bëhet publike sa më parë.

Rikujtojmë që mungesa e transparencës gjatë procesit të akreditimit ka mundësuar që për opinion të bëhen publike vetëm vendimet finale dhe asnjëherë procesi i verifikimit. Në veçanti është shqetësues akreditimi i kolegjeve private, duke u bazuar në plotësim të kushtit të profesorëve të rregullt të deklaruar, ndërsa po të njëjtit janë të angazhuar në institucione të tjera. Ky anashkalim i "rastësishëm" i më se 80 rasteve të tilla, e që paraqet kriterin kyç për akreditim, paraqet shqetësim serioz për kredibilitetin e vendimeve të fundit të marra nga AKA.

Përgjegjësit e Agjensionit në mbyllje të programeve në të shumtën e rasteve kanë qenë të përkohshme, më shumë si periudhë shitblerjesh të profesorëve, me shumicën e programeve të rikthyera në ndërkohë.

Është paradoksale të thirret për ruajtje të pavarësisë së institucionit, kur i gjithë mekanizmi udhëheqës i Agjensionit është i emëruar politikisht. Funksionimi i AKA-së nuk paraqet diçka më ndryshe sesa në institucionet e tjera të pavarura në vend.

Instituti EdGuard shpreson që vendimi i marrë për shkarkim ka për bazë shkeljet e bërë nga AKA dhe në asnjë rast i ndikuar nga interesa të ngushta politike. Matës të përkushtimit qeveritar për ndryshim të gjendjes në AKA do të jenë të përzgjedhurit e organeve të reja udhëheqëse të këtij institucioni.

Instituti EdGuard avokon në vazhdimësi që procesi i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend të bëhet nga agjensione kredibile ndërkombëtare të akreditimit, si mundësi e vetme e filtrimit dhe krijimit të institucioneve cilësore të arsimit të lartë ne vend, thuhet në komunikatë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme