Arbëri

Ish-anëtari i AKA-së, letër Haradinajt: U shkarkova pse s’u pajtova që arsimi i lartë në shëndetësi të duket si qebaptore

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një letre dërguar Ministrisë së Arsimit, ka kërkuar nga kjo e fundit që të shkarkojë të gjithë anëtarët e Bordit të Këshillit Shtetëror në Agjencinë Kosovare të Akreditimit, kërkesë e cila u zbatua gjatë ditës së sotme.

MASHT-i, në njoftimin dërguar mediave, tha se shkarkimi i anëtarëve të Bordit të AKA-së u bë për shkak të disa “parregullsive”.

Por, ish-anëtari i AKA-së, Lul Raka, ka thënë se lajmin për shkarkimin e bordit, pjesë e të cilit ishte edhe ai, e ka marrë me sportivitet pasi, siç thotë ai, kjo nuk është hera e parë që ndodh një shkarkim i tillë.

Ai thotë se herën e parë, ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, e pati shkarkuar vetëm atë, ndërsa në disa pika, ai ka sqaruar se cilat kanë qenë ato “parregullsi serioze të agjencisë” për të cilat është shkarkuar Bordi.

“Kam qenë kategorikisht dhe jam ende kundër hapjes së drejtimeve të mjekësisë së përgjithshme në cilindo institucion privat të arsimit të lartë të Kosovës. Rezonanca dhe UBT kanë aplikuar, por akreditimi i tyre është refuzuar nga Agjencia (me sugjerimin tim). Kam qenë edhe kundër hapjes së drejtimeve të Stomatologjisë e Farmacisë, por votova ‘pro’, për shkak të numrit të kufizuar të studentëve të regjistruar”, thotë Raka në letrën e tij publike.

Ndërkaq, ish-anëtari i Bordit të AKA-së, Lul Raka, thotë se në mbledhjen e së premtes së shkuar, këto institucione kërkuan rritjen e menjëhershme të numrit të studentëve.

“Kolegji AAB, kërkoi që në vend të 25 studentëve në Stomatologji t’i regjistrojë 120 sosh. Kurse, në Radiologji në vend të 30 studentëve t’i regjistrojë 120. Kolegji UBT kërkoi që në vend të kuotave të votuara në Farmaci prej 20 studentësh ta rrisë numrin në 50; në Stomatologji në vend të 20 studentëve në 50 dhe infermieri në vend të 50 studentëve të regjistrojë 300 studentë. Kam votuar kundër rritjes edhe për një student të vetëm. Kolegji AAB vetëm në infermieri për një vit ka regjistruar mbi një mijë studentë! Rregullsi se jo mahi! Në periudhën sa kam qenë në Agjenci janë mbyllur 140 programe në të gjitha institucionet publike e private në Kosovë. Unë vazhdoj të jem i qetë për këto ‘parregullsi’ që kam bërë dhe do të vazhdoj kurdo që kam mundësi me parregullsi të tilla, duke mos u pajtuar që arsimi i lartë në shëndetësi të duket si një biznes qebaptoresh”, ka thënë Raka, duke e përmbyllur letrën e tij me: “I nderuar Kryeministër. Kaq pata. Nuk kam aspak hatërmbetje”.