Arbëri

Haradinaj fajëson BE-në për dobësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova duhet të ketë diskutime të brendshme të hapura me shoqërinë civile dhe politikën për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, duhet të ekzistojë një tryezë diskutimi e vazhdueshme ku për çdo temë të ketë diskutime, nëse jemi duke biseduar me fqinjët, pse të mos kemi diskutime të brendshme më të gjithë aktërët. “Dialogu duhet të ndodh edhe pse historia është tragjike”, tha Haradinaj në televizionin publik.

Kosova, Haradinaj tha se nuk guxon të ketë dialog vetëm për lidershipin, por dialogu duhet të bëhet edhe për popullin dhe dialogu i brendshëm është i rëndësishëm shumë. Presidenti Hashim Thaçi, sipas tij, është në detyrë brenda Kushtetutës, por duhet gjithsesi dialog i brendshëm.

Ai tha se partnerët ndërkombëtarë e kanë dobësuar Kosovën në dialog, kur dihet se Serbia ka ecur përpara në statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE, ndërkaq Kosova ka ngecur në këtë drejtim. “Nuk mundesh të kesh dialog me një vend që njëri vazhdon me procese e tjetri ngec. Partnerët ndërkombëtarë duhet të na ndihmojnë në procese dhe në planin ndërkombëtar”.

Sa i përket ushtrisë së Kosovës, Haradinaj tha se është një mobilizim serioz që Kosova të anëtarësohet në NATO e që kjo doemos tregon se duhet të bëhet ushtria. Ai tha se anëtarësimi në NATO sjell edhe të mira tjera, përfitime sociale, etj.

Ndërkaq për Listën Serbe se a do ta votojë ushtrinë apo jo, Haradinaj tha se nuk e kanë diskutuar me ata për këtë çështje, po ashtu as për Asociacionin e komunave serbe. “Nuk kam fare marrëveshje të nënshkruara me Listën Serbe asnjë germë, por më kanë thënë se marrëveshjen e kanë bërë me mua se nuk do i gënjej”.

Sa i përket punës nga ana e punëtorëve që janë me kontratë, ai tha se do kërkojë me përpikmëri t’i zbatojnë të gjitha rregullat dhe kërkesat e qytetarëve të realizohen. Haradinaj tha se nuk do të lejojë që ata për punën që thirren ta neglizhojnë atë. Ai tha se sot ishte në Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar nga ata që të jenë të vëmendshëm, sepse nëse ndodh që në shkolla të arrijë droga pra te fëmijët, dikush do të japë llogari.

Sa i përket ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, Haradinaj tha se ju ka drejtuar organeve kompetente të cilat nuk kanë gjetur asgjë sa i përket atij, pra sipas tij, “kjo është bërë për motive tjera”. Ai tha se u tentua edhe me largimin e njerëzve nga Kosova, por nuk u arrit.

Për raportet me opozitën, Haradinaj tha se është i hapur me të gjithë dhe punën që bën buron nga Kushtetuta e vendit dhe e zbaton atë, ku i raporton Kuvendit, presidentit dhe të gjithë ata që janë të hapur do të komunikojë me ta.

Sa i përket zgjedhjeve, ai shkon vetëm në mbrëmje në takime të tilla dhe tha se nuk e shfrytëzon asnjë veturë apo diçka shtetërore, as ai e asnjë punëtor tjetër në Qeveri, ndërkaq beson se partia e tij do të ketë rritje.

Për çështjen e Interpolit, Haradinaj tha se për çdo çështje Kosova ka pasur Komision ndërministror, ndërkaq vetëm për Interpolin nuk ka pasur, pra sipas tij, nuk ka ditur kush çka po ndodh dhe kjo është arsyeja që e ka shtyrë për vitin tjetër.