Arbëri

Drejtuesit e “Zërit të Amerikës” do të qëndrojnë në Kosovë nga 28-30 shtator

Descriptive Text

Drejtoresha e ‘Zërit të Amerikës’, Amanda Bennett, që shoqërohet nga Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euroazisë, do të qëndrojnë në Kosovë nga data 28 deri më 30 shtator, merr vesh Koha.net.

Sipas njoftimit, delegacioni në përbërje të të cilit do të ketë edhe zyrtar të tjerë të këtij institucioni prestigjioz në fushën e informimit botëror, të do të bëjë një turne në pesë vende të Ballkanit, ku do të flasë mbi rolin e ‘Zërit të Amerikës’ dhe ndikimit dhe efektivitetit të programeve të tij për rajonin.

Dr. Biberaj tha se vizita e drejtores Bennett është e para në Ballkan e një drejtori të ‘Zërit të Amerikës’. Gjatë vizitës në pesë vende të Ballkanit, drejtoresha Bennett do të shpjegojë se si po u përgjigjet ‘Zëri i Amerikës’ sfidave të sotme me të cilat ndeshet media, si dhe ndryshimit të panoramës mediatike. Sipas Dr. Biberaj, drejtoresha Bennett do të theksojë se misioni i ‘Zërit të Amerikës’ nuk ka ndryshuar që nga dita e transmetimit të pare 75 vjetësh – të tregojë të vërtetën, të jetë i saktë dhe i balancuar dhe të njohë audiencat me Amerikën.

Dr. Biberaj thotë se “në një botë ku besimi tek media po bie, ‘Zëri i Amerikës’ vazhdon të luajë një rol jetik, si një prej burimeve më të besuara të lajmeve. Ai ofron alternativën e njoftimit të bazuar në fakte, përballë propogandës, shërben si një mjet ku mund të gjesh alternativat që ofron opozita, si dhe debatin publik, duke nxitur zhvillimin e shoqërive të lira e të drejta.”

Shërbimet e Ballkanit të “Zërit të Amerikës” ofrojnë programe në platforma të ndryshme dhe kanë një ndikim dhe ndjekje të lartë në rajon, duke ofruar lajme dhe informacion të paanshëm dhe të besueshëm, që shtypi i politizuar vendas nuk është gjithmonë në gjendje ta japë.

Zëri i Amerikës ndiqet nga 12% në Serbi, 13.4% në Bosnje Hercegovinë, 26.5% në Mal të Zi, 60.5% në Shqipëri dhe 64% në Kosovë.

Amanda Bennett, është autore librash, fituese e çmimit Pulitzer dhe ka punuar në gazetarinë hulumtuese. U emërua drejtore e Zërit të Amerikës në mars 2016. Bennett fitoi, së bashku me kolegët e saj të gazetës Wall Street Journal, Çmimin Pulitzer të vitit 1997 për raportim mbi tema të vendit. Në vitin 2001 drejtoi një ekip të gazetës The Oregonian, që fitoi çmimin Pulitzer për shërbimin publik. Projektet e ekipeve për gazetarinë hulumtuese, ku ajo bënte pjesë në Bloomberg News, kanë fituar ndere të shumta.

Ajo është autore e gjashtë librave.

Së bashku me bashkëshortin, Donald Graham, ajo është themeluese e fondacionit TheDream.US, që ofron bursa universitare për fëmijët e emigrantëve pa dokumente.

Drejtoresha Bennet ndodhet në Ballkan nga data 18 shtator. Ajo është takuar me përfaqësues të mediave partnere të “Zërit të Amerikës”, gazetarë vendas dhe zyrtarë qeveritarë në Serbi (18-19 shtator), Bosnje Hercegovinë (20-23 shtator), Mal të Zi (24-26 shtator), ndërsa në Shqipëri (26-28 shtator) dhe Kosovë (28-30 shtator). Drejtoresha Bennett shoqërohet në këtë turne nga Dr. Elez Biberaj, drejtor i Divizionit të Euroazisë, Alen Mlatisuma, redaktor përgjegjës për internetin në Divizionin e Euroazisë, Dzeilana Pecanin, shefe e Shërbimit Boshnjak të ‘Zërit të Amerikës’ dhe Arben Xhixho, shef i Shërbimit Shqip të ‘Zërit të Amerikës’.