Klimë e pafavorshme në Kosovë, bizneset turke ikin në Maqedoni e Serbi

Klimë e pafavorshme në Kosovë, bizneset turke ikin në Maqedoni e Serbi

25 shtator 2017 14:35

Vitin e kaluar Kosova kishte shënuar rënie të investimeve, kurse sivjet situata nuk duket të jetë më e mirë se vitin e kaluar.

Në garën për të krijuar klimë të favorshme dhe masa stimuluese për investitorë, si duket Kosova po ngec me rajonin. Gjatë një takimi që ministri i Financave Bedri Hamza, zhvilloi me drejtues të shumtë të Asociacioneve të Bizneseve në Kosovë, drejtori i Odës Ekonomike Turko Kosovare Arben Fetahu, potencoi se është brengosës fakti që gjatë muajve të fundit kanë qenë disa biznese të mëdha turke që kanë qenë të interesuar të investonin në Kosovë, por kanë ikur në drejtim të Serbisë e Maqedonisë.

“Është brengosës ministër që gjatë shtatë muajve të fundit kemi pasur dy-tre biznese të mëdha të interesuara të vijnë të investojnë në Kosovë dhe ato kanë ikur në drejtim të Maqedonisë e Serbisë. Është ndoshta mirë të shohim se cilat janë ato masa stimuluese, të cilat këto vendet e rajonit po i ofrojnë e po bëjnë bizneset të ikin nga ne. Jam i vetëdijshëm që klima politike e krijuar muajve të fundit ka pasur ndikim këtu, por edhe masat stimuluese të këtyre dy vendeve po i tejkalojnë të cilat ne jemi në gjendje t’ua ofrojmë”, është shprehur Fetahu.

Fetahu theksoi se në Odën Turko – Kosovare, vijnë delegacione të shpeshta dhe të rregullta nga Turqia dhe do të duhej tu sqarohej atyre se çka ofron Kosova më shumë se sa vendet e rajonit.

“Dhe unë do të isha mirënjohës nëse ministria që ju e udhëhiqni dhe dy resorët kryesorë të saj, Doganat dhe ATK-ja të krijonin një mekanizëm për të sqaruar direkt investitorëve potencialë atë se çka ofrohet tek ne, kundrejt asaj se çka ofrohet tek shtetet e rajonit”, tha Fetahu.

Gjatë pritjes që ministri i Financave Bedri Hamza, u bëri asociacioneve të bizneseve, drejtori i Odës Ekonomike Turko Kosovare Arben Fetahu, ka kërkuar edhe ratifikimin e marrëveshjes për Tregti të Lirë mes Kosovës e Turqisë, transmeton TR. Fetahu me këtë rast i ngriti dy çështje që ndërlidhen direkt me punën e Odës.

“E para është mos-ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, mes Kosovës e Turqisë, marrëveshje kjo e cila është nënshkrua mes dy qeverive, ka katër vite tash dhe e dyta është fakti që, besoj se nuk është ndonjë befasi apo sekret që më së shumti biznese të interesuara për të ardhur për të investuar në Kosovë vinë nga Turqia”, u shpreh Fetahu.

Mirëpo, Vëllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës u shpreh se marrëveshja për Tregti të Lirë mes Kosovës e Turqisë, nuk është i dobishëm për momentin.

“Mendojmë që sektori i prodhimit në Kosovë është vetëm në fazën e zhvillimit dhe nuk është ende i gatshëm për të përballuar një konkurrencë të madhe në kuptimin e tregtimit. Sa i përket klimës më të mirë për investime, qofshin biznese nga Turqia, Gjermania apo cilido vend, ne jemi të pajtimit që të krijohen kushte sa më të mira, mirëpo sa i përket marrëveshjes për tregti të lirë me Turqinë ne nuk pajtohemi”, u shpreh Osmani.

Ish-ministrja Kusari Lila në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, thoshte se marrëveshja garantonte heqjen e menjëhershme të tarifës doganore nga Turqia për të gjithë prodhuesit kosovarë që do të eksportojnë mallra industriale në Turqi.

“Kjo marrëveshje hap mundësi të mira për prodhuesit kosovar. Të gjitha produktet industriale kosovare dhe një numër i madh i produkteve bujqësore do të lejohen të hyjnë në Turqi me tarifë doganore zero, menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes”, thoshte ish ministrja.

Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë, e kanë nënshkruar të gjithë vendet e rajonit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme