Arbëri

Gjatë javës pritet shpërndarja e pensioneve të veteranëve për gusht e shtator

26 milionë euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës, për t’i mbuluar pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Pensionet retroaktive për gushtin e shtatorin pritet të dalin në javën e ardhshme, kjo nëse Kuvendi ia arrin ta miratojë shqyrtimin e Projektligjit për Buxhetin e vendit, pasi LDK-ja ka paralajmëruar se do ta bojkotojë atë, nëse Qeveria Haradinaj nuk e kthen buxhetin në shumën 2 miliardë euro, raporton KTV.

Qeveria më 2017, u përballë me fluks të madh të veteranëve të papunë të UÇK-së. Më shumë se 33 mijë persona marrin pension nga shteti, ku aktualisht 5.5 milionë euro në muaj shpenzohen për këto pensione, por numri vazhdimisht po rritet.

Kjo bëri që të FMN-ja të tërheqë fondet e saj për Kosovën, pasi Qeveria Mustafa nuk ia arriti të funksionalizojë Komisionin për Klasifikimin e veteranëve në 3 kategori, proces ky i paraparë t’i kursejë miliona euro arkës së shtetit.

Kohavisioni, që nga 19 shtatori, ka pyetur Qeverinë e Kosovës se kur do të nisë punën Komisioni për Klasifikimin e veteranëve, dhe se çfarë ka ndodhur me Komisionin që ishte votuar nga Qeveria Mustafa, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.