Arbëri

Haradinaj s’e ka në agjendë të vizitojë Malin e Zi në një të ardhme të afërt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet që në një të ardhme ta vizitojë Malin e Zi, por njëherë për njëherë, në agjendën e vizitave të tij të shpejta, kjo për në Mal të Zi nuk qëndron.

Halil Matoshi, udhëheqës i zyrës për media në Kryeministri, ka thënë për Koha.net se Kosova ka marrëdhënie të mira me Malin e Zi, prandaj një vizitë e tillë edhe mund të bëhet.

“Kryeministri i Kosovës nuk e ka në agjendë vizitën e shpejtë në Malin e Zi, por në një të ardhme edhe mund ta vizitojë këtë Republikë, me të cilën Kosova ka marrëdhënie të mira”, ka thënë Matoshi.

I pyetur nga Koha.net në lidhje edhe me Marrëveshjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, pasi për këtë të fundit, çështja e demarkacionit me Kosovën është e mbyllur, Matoshi ka thënë se mbase edhe për këtë temë do të bisedohet.

“Nuk ka temë në këtë botë e aq më pak në epokën e globalizmit për të cilën nuk mund të bisedohet... Ne nuk paragjykojmë tjetrin nëse do të ndërrojë qëndrim ose jo”, ka thënë ai.

Ditë më parë, Koha.net ka kontaktuar edhe me Shpejtim Bulliqin, që kryeministri Haradinaj e ka vënë në krye të Komisionit Shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, i cili ka thënë se demarkimi me Malin e Zi bëhet vetëm kur edhe pala tjetër bie dakord, e megjithatë Mali i Zi shpreson që Kosova të pranojë marrëveshjen e arritur.