Arbëri

Haradinaj i interesuar për thellim të bashkëpunimit me Gjermaninë

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të punojë ngushtë me Berlinin zyrtar për të thelluar marrëdhëniet e mëtejme dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, e me theks të veçantë për investimet gjermane në vendin tonë.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi që pati sot me Përfaqësuesin Special për Negocim të Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së dhe drejtor për Politikat e BE-së në Ministrinë e Jashtme gjermane, ambasadorin Thomas Ossowski.

Kryeministri Haradinaj prezantoi prioritetet qeveritare që mbulojnë fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën euroatlantike për Kosovën në përputhje me agjendën evropiane dhe detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Ndërsa, ambasadori Ossowski mirëpriti fokusimin e qeverisë për agjendën evropiane dhe e inkurajoi kryeministrin Haradinaj për dinamizimin e angazhimeve për bashkëpunimin fqinjësor dhe integrimet rajonale, si mekanizëm zhvillimor që lehtëson integrimin e Kosovës dhe rajonit në BE.