Bulliqi thotë se jo gjithçka varet nga Komisioni që i prin

Bulliqi thotë se jo gjithçka varet nga Komisioni që i prin

22 shtator 2017 17:24

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar anëtarët e Komisionit Shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi kryetar i së cilës është emëruar Shpejtim Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi, këmbëngul që opinionit publik t’i servohet e vërteta, dhe se komisioni i ri i formuar do ta mirëmbajë atë.

“Për hir të opinionit publik, duhet të thuhen gjërat ashtu siç janë, vetëm e vërteta. Qeveria e ka shkarkuar komisionin e kaluar shtetëror, i cili sot, prapë një komision shtetëror por i ri, do ta mirëmbajë ashtu siç duhet”, ka thënë Bulliqi në një prononcim për Koha.net.

Bulliqi ka thënë se njëherë për njëherë, nuk bëhet fjalë për demarkim, pasi siç thotë ai, demarkimi bëhet vetëm kur bien dakord dy shtetet, pra Kosova dhe Mali i Zi.

Por në anën tjetër, për Malin e Zi, demarkacioni me Kosovën mbetet çështje e mbyllur.

I pyetur nga Koha.net se si do të punojë ky komision i ri shtetëror i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, dhe cilat të gjetura do t’ia sjellë Qeverisë, ashtu siç është kërkuar nga Haradinaj, Bulliqi ka thënë se puna e tyre mbështetet në disa ligje dhe se do të jetë qëndrim profesional e jo politik.

“Puna jonë do të jetë e mbështetur në ligjin numër 04 L 072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror. Pastaj në ligjin numër 04 L 214 për ndryshimin, dhe në fund për plotësimin e ligjit 04 L 072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kontrollit dhe kufirit shtetëror, pastaj udhëzimin administrativ për shënjimin e vijës kufitare si dhe rregulloren e punës së komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror”, tha ai.

Bulliqi tutje tha se do të bëhet ajo që kërkohet konform kornizave ligjore.

“Do të punojmë me udhëzime administrative dhe me rregulloren e punës për komisionin shtetëror. Meqë ekzistojnë këto korniza, aktiviteti ynë do të fuqizohet shpejtë, vetëm në rast se Kryeministri ose Kuvendi kërkojnë diçka tjetër prej neve”, ka shtuar ai.

Bulliqi u shpreh optimist që do të bëhen përmirësime por se shtoi se nuk varet gjithçka nga ky komision.

“Detyra jonë është tipike profesionale, megjithatë nuk varet vetëm nga ne cilët do jenë hapat më tutje. Por, ne do të punojmë me shumë profesionalizëm”, ka thënë Bulliqi për Koha.net.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme