Arbëri

Qendra “Syndrom Down’’ vizitë Policisë

Me datën 21 dhe 22 Shtator 2017, Drejtoria Rajonale e Policisë, Mitrovicë Jugu ka realizuar disa aktivitete me fëmijët e qendrës së “Syndromit Down” në Mitrovicë.

Me datën 21.09.2017, nga ora 10:00, në Drejtorinë Rajonale të Policisë, Mitrovicë kanë qenë në vizitë nxënësit e Qendrës me “Syndromin Down” në përcjellje të prindërve të tyre dhe stafit menaxhues të kësaj qendre.

Fëmijët fillimisht janë njoftuar me objektin e Drejtorisë Rajonale të Policisë, duke filluar vizitën nga zyra e Drejtorit Rajonal, ku dhe janë mirëpritur nga Drejtori Rajonal, nënkolonel Nehat Thaqi. Pas një fjale rasti nga ana e drejtorit, fëmijët në vazhdim janë njoftuar edhe me njësitë tjera si: në Qendrën e Komunikimit (Bravo Kontroll), ku nga stafi janë njoftuar se si funksionon kjo qendër, duke vazhduar vizitën në zyrën e Krim-teknikës (Forenzikes) rajonale, ku janë njoftuar me të gjitha pajisjet për së afërmi, duke përfunduar me vizitën në zyrën e Njësisë së Reagimit të Shpejt (NJRSH), ku operatoret e kësaj njësie kanë demonstruar para fëmijëve se si funksionon kjo njësi.

Aktiviteti i radhës me fëmijët ka vazhduar edhe me datën 22.09.2017, duke realizuar vizitën në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri (AKSP).

Fëmijët janë njoftuar me rolin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP-së) dhe aktivitetet të cilat zhvillohen për trajnimin e pjesëmarrësve. Gjatë tërë aktivitetit, fëmijët kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre si dhe zyrtarët policor të DRP-së -Mitrovicë Jugu.

Për të realizuar të gjitha këto aktivitete dyditore, falënderim i veçantë nga prindërit dhe stafi menaxhues i kësaj qendre është adresuar tek Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtorit Rajonal-Nënkolonel Nehat Thaqi si dhe stafit ndihmës të tij, të cilët janë kujdesur për ftesën, mirëpritjen, organizimin, transportin si dhe agjendën pranë AKSP-së.